Ukraina në luftë, çfarë produkte importon Kosova nga ky shtet dhe në çfarë vlere

Prishtinë | 24 Shk 2022 | 13:10 | Nga Ekonomia Online

Ukraina është në luftë. Në orët e hershme të mëngjesit të së enjtes, Rusia filloi invazionin ushtarak dhe hodhi raketa në territorin e këtij shteti, duke filluar kështu një luftë në Evropë. Situata aktuale atje mund ta detyrojë vendin që produktet që i ka importuar deri tash nga ky shtet, t’i kërkojë nëpër vende të tjera.

Por, çfarë importon Kosova saktësisht nga Ukraina dhe sa ka qenë vlera e importit në tri vitet e fundit?

Sipas statistikave që Dogana e Kosovës i ka dërguar Gazetës Express, nga viti 2019 e deri tash Kosova ka importuar produkte në vlerë mbi 81 milionë euro nga Ukraina.

Vetëm gjatë këtyre dy muajve, vendi ynë ka importuar produkte nga ky shtet në vlerë prej 5 milionë euro.

Produktet që importohen më së shumti nga ky shtet janë kryesisht ato të tekstilit. Por, edhe ato ushqimore.

Pula të therura e të pastruara, arra, çokollata, grurë, misër, biskota, vaj ushqimor luledielli, sheqer e gjalpë janë vetëm disa prej produkteve ushqimore me të cilat janë furnizuar kosovarët nga ky shtet.

Përveç këtyre produkteve, kosovarët furnizohen nga Ukraina edhe me pasqyra, enë, gota, kavanoza, llamarina, ventilatorë, zile, llampa, mobile dhe lodra.

Në tabelën e mëposhtme mund të gjeni të gjitha produktet që janë importuar nga Ukraina, që nga viti 2019:

Ndryshe, që prej orëve të mëngjesit të ditës së enjte, janë raportuar një numër eksplodimesh si pasojë e bombardimeve ruse, në të gjitha anët e Ukrainës.

Siç njoftohet nga raportime të ndryshme ndërkombëtare, Rusia ka nisur sulme ndaj qyteteve më të mëdha, derisa trupat e saj tashmë kanë kaluar kufirin e Ukrainës. Deri më tani, Rusia ka hedhur raketa të kryqëzuara dhe balistike në aeroporte dhe në shtabet ushtarake afër Kievit. Në jug trupat ruse kanë zbarkuar në Odessa.

Ndërsa në pjesën lindore, raketat ruse kanë goditur caqe në Kharkiv dhe Dnipro, ndërsa zyrtarët kanë bërë me dije se shpërthime të mëdha janë raportuar edhe në Kramatorsk. Shërbimet emergjente shtetërore të Ukrainës kanë bërë me dije se Rusia ka sulmuar 10 rajone ukrainase, në lindje dhe në jug të vendit. Bëhet e ditur se janë goditur edhe disa aeroplanë në aeroporte.

Të ngjashme