UNICEF dhe Avokati i Popullit lansojnë platformën “Njih të Drejtat Tua”

Prishtinë | 18 Tet 2017 | 20:31 | Nga Kaltrina Zymberi

Zyra e UNICEF-it në Kosovë dhe Avokati i Popullit lansuan sot platformën elektronike “Njih të Drejtat Tua”, e cila iu mundëson të rinjve kosovarë, të kenë qasje të drejtpërdrejtë dhe më të lehtë, për t’i kuptuar të drejtat e tyre ligjore, por edhe të komunitetit ku jetojnë.

Platforma “Udhëzuesi i të Drejtave” mbulon drejtat kryesore në fushat e prioritetit sipas të rinjve duke përfshirë: shkollimin, shëndetin, komunitetet pakicë, punësimin, familjen, ligjin, angazhimet në komunitet, përfitimet sociale dhe fuqizimin e rinisë.

Shefi i Zyrës së UNICEF-it në Kosovë, Brandao Co, në prezantimin e organizuar në bibliotekën “Hivzi Sylejmani” në Prishtinë, ku merrnin pjesë shumë të rinj, tha se kjo platformë ka target të rinjtë e moshës 16-28 vjeç, që përmes përshkrimeve të lehta të kuptojnë drejtat e tyre sipas legjislacionit në fuqi.

“Platforma është shumë e rëndësishme për të rinjtë sepse i mëson ata se si të avokojnë për të drejtat e tyre, për të drejtat e familjes dhe të komunitetit”, deklaroi Co.

Sipas tij, ideja për të lansuar këtë platformë lidhet me rininë kosovare që është potencial i madh për vendin.

Në Kosovë, sipas statistikave demografike, rreth 70 për qind e popullsisë rezidente është nën moshën 31 vjet. Brandao Co tha se kjo platformë informuese për të drejtat e të rinjve, që tashmë është online, ka qëllim të arrijë më lehtë tek të rinjtë që e shfrytëzojnë më shumë internetin.

Avokati i Popullit, Hilmi Jashari, tha se platforma synon t’i familjarizojë të rinjtë me terminologjinë. “Ideja ka qenë që të rinjve t’u kthehet në terminologji miqësore dhe jo juridike të drejtat e tyre, në mënyrë që t’i kuptojnë më lehtë”.

Edhe Jashari theksoi se ky aplikacion që instalohet në telefon synon moshën rinore, e cila përballet me autoritetet publike, politike por edhe studimore. “Kosova ka pasur nevojë për një platformë të tillë”, tha Jashari, për Ekonomia Online.

Menaxherja e Programit të Innovations Lab, Hana Sahatqija, tregoi se kjo platformë informuese e cila sot mundësohet edhe nëpërmjet një videoje, është punuar gjatë në koordinim me Avokatin e Popullit dhe është zhvilluar brenda laboratorit të tyre inovativ.

Ajo theksoi se kjo iniciativë është një bashkim i disa projekteve të të rinjve të cilët kanë bashkuar forcat për të promovuar të drejtat e adoleshentëve dhe rinjve në Kosovë.

Të ngjashme