UNICEF-i lanson platformën për të rinjtë U-Report

Prishtinë | 16 Maj 2018 | 12:30 | Nga Mehmet Krasniqi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Zyra e UNICEF-it në Kosovë ka lansuar platformën U-Report për Ballkanin Perëndimor: Kosovë, Shqipëri dhe Mali i Zi. Kjo është një iniciativë fillestare nënrajonale për promovimin dhe lehtësimin e angazhimit të të rinjve në të gjitha fushat e jetës dhe në proceset vendimmarrëse.

Drejtoresha Rajonale e UNICEF-it për Evropë dhe Azi Qendrore, Afshan Khan, tha se platforma është pa pagesë dhe ka për qëllim t’i lidhë të rinjtë me njëri-tjetrin për të ndarë përvojat, raporton Ekonomia Online.

Ajo tha se kjo platformë është prezente në 42 shtete të botës, dhe shtoi se në këto vende platforma po sjellë rezultate të mira.

Khan theksoi se platforma është e rëndësishme për të rinjtë që duan t’i ngrisin çështjet që i preokupojnë.

“Kjo platformë inovative është prezente në 42 shtete të botës. Platforma është pa pagesë që lidhë të rinjtë për të ndarë përvojat me njëri-tjetrin. Të rinjtë në Prishtine, Tiranë e Podgoricë do t’i bashkohen mbi pesë milionë abonentëve të këtij mjeti, i cili ju përkrah drejt zhvillimit dhe krijon mundësinë e ndarjes së vlerave e problemeve mes vete”.

“Telefonat janë përditshmëri e gjithsecilit dhe informatat preferoni t’i merrni online. Shtatë miliardë tekste shpërndahen brenda ditës kështu që me U-Report do të bëjmë një revolucion digjital në këtë hov të përdorimit të madh të teknologjisë. Është mirë që të rrisim mundësinë e angazhimit. Në Ukrainë më shumë se mbi 60 mijë përdorues kanë pasur mundësi të raportojnë për dhunën në shkolla”.

Zëvendësministri i Kulturës, Rexhep Hoti, ka thënë se rinia ka rol shumë të rëndësishëm dhe, sipas tij, duhet që ajo ta marrë përgjegjësinë që i takon, raporton EO.

Hoti shtoi se platforma është mundësi që rinia të arrijë qëllimet e veta. Ai premtoi se MKRS do të mbështesë fuqishëm fondin e U-reports.

Hoti tha se politika e Kosovës duhet të rrisë fokusin te rinia sepse, siç tha, është shumë e rëndësishme për vendin.

“Ministria do ta mbështesë fuqishëm fondin e U-report që lidhet në zhvillimet e fundit në teknologji. Kjo është mundësi që rinia të arrijë deri te qëllimet përmes analizave që marrin përgjigje të cilat s’kanë kosto, por kanë rëndësi të madhe”.

“Gëzohemi për nisma të tilla, por institucionet duhet fuqishëm të kthehen në punët e tyre. Kosovës nuk i mungojnë të hollat për rininë, Kosovës i mungon truri. Bashkëpunimi me UNICEF-in duhet të jetë në nivel më të madh, vetëm puna, kreativiteti, ndonjëherë edhe disfata, mund ta ndezë jetën në Kosovë”.

Brandao Co, shef i misionit të UNICEF-it në Kosovë, tha se platforma u ndihmon të rinjve që të kenë ndikim në agjendën politike dhe të arsimit, raporton EO.

“Kjo është platformë që ju ndihmon juve në influencimin në agjenda politike dhe të arsimit.  Zëri juaj është i rëndësishëm”.

Disa U-reporterë nga Ukraina përmes një lidhjeje direkte u bënë thirrje të rinjve që të angazhohen në të gjitha fushat e jetës dhe në proceset vendimmarrëse. Ata thanë që të rinjtë kanë mundësi ta ndryshojnë vendin e tyre vetëm me një gisht.

Të rinjtë kosovarë mund të bëhen pjesë e U-Reporter përmes kodit QR. Sot është lansuar anketa e parë e cila përqendrohet në kërkesat e të rinjve. Ajo quhet “Angazhimi i rinisë” dhe ka 5 pyetje të shkurtra, të cilat u dërgohen të rinjve në aplikacionin Viber. Në këtë platformë çdo javë do të publikohet nga një anketë

Të ngjashme