UNICEF-i ndihmon fëmijët me aftësi të kufizuara në aktivitete sportive

Prishtinë | 09 Maj 2017 | 11:27 | Nga Jehona Zhuniqi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

UNICEF-i dhe Komiteti Olimpik për fëmijë me aftësi të kufizuara kanë bërë nënshkrimin e marrëveshjes për involvimin e fëmijëve me aftësi të kufizuara intelektuale në aktivitete sportive, raporton Ekonomia Online.

Qëllimi i kësaj marrëveshje është bashkëpunimi për të ofruar aktivitete gjithëpërfshirëse të lojës dhe sportit, shërbime të drejtpërdrejta të shëndetit dhe të zhvillimit të fëmijërisë së hershme për fëmijët 2-8 vjeç dhe të rinjtë me aftësi të kufizuara intelektuale duke përfshirë edhe familjet e tyre dhe komunitetin.

Fëmijëve 2-8 vjeç do t’u jepet mundësia për të zhvilluar  aktivitete fizike, të tregojnë guxim, të gëzojnë të drejtën dhe të marrin pjesë në shkëmbimin e aftësive dhe miqësisë me familjet dhe komunitetin.

Udhëheqësi i Zyrës së UNICEF-it në Kosovë Brandao Co, ka thënë se ky projekt përfshin fëmijët me nevoja të veçanta, duke e quajtur këtë si fitore.

“Siguron përfshirjen e fëmijëve me nevoja të veçanta që të gëzojnë shëndet të mirë përmes aktiviteteve dhe të jenë pjesë e komunitetit. Të jetë thjesht kënaqësi për ta që të marrin njohuri. Jemi shumë të kënaqur që do të përfshijmë fëmijët gjë kjo e cila do të ndikon në kapacitetet intelektuale të tyre dhe përfshirjen e tyre në familje dhe në komunitet. Është një fitore për të gjithë neve”, ka thënë ai.

Kurse, Martha Jo Brayich drejtoreshë sendore nga Zyra Rajonale Speciale Olimpike në Kosovë ka thënë se ky projekt ka në fokus përfshirjen e fëmijëve nga mosha 2 deri në tetë vjeç.

“Fokusi i kësaj është përfshirja e fëmijëve nga mosha 2 deri në tetë vjeç. Është lojëra dhe aktivitete sportive dhe lojëra shumë interesante. Loja ka një rol të rëndësishëm në zhvillimin e njeriut. Dje kemi pasur kënaqësi të vizitojmë programin e atletëve të rinj dhe ti shihni këta fëmijë që kanë nevoja të veçanta por ti shihni se si ata luajnë së bashku  dhe ta shihni gëzimin dhe kënaqësinë e tyre dhe të familjeve të tyre ishte kënaqësi e madhe. Nuk kemi dyshim sepse kemi një ekip të mirë dhe ky do të jetë një bashkëpunim i suksesshëm”, ka thënë ajo.

Ndërsa drejtoresha e Qendrës Burimore “Përparimi”, në Prishtinë  Igballe Potera, ka thënë se numri i fëmijëve me aftësi të kufizuara që nga vitit 2007 po shtohet.

“Që nga viti 2007 numri përherë është duke u shtuar.  Është një organizatë që e kemi themeluar si organizatë dhe e pamë të arsyeshme që edhe personat me nevoja të veçanta kanë mundësi dhe mundët të përfshihen. Me ketë formë po e bëjmë senziblizimin e shoqërisë që edhe ata të mund  të jenë pjesë  e jona por vetëm se duhet tu ofrojmë mundësi”, ka thënë ajo.

Projekti do të zgjas deri në dhjetor të këtij viti e mundësi vazhdimi.

Komiteti Olimpike për fëmijë me aftësi të kufizuara në Kosovë arrin afër 200 individë me aftësi të kufizuara intelektuale në 4 qytete të Kosovës.

Përveç kësaj, bashkëpunimi midis UNICEF-it dhe Komiteti Olimpik për fëmijë me aftësi të kufizuara do të kontribuojë në rritjen e mëtejshme të ndërgjegjësimit për nevojat dhe aftësitë e fëmijëve me aftësi të kufizuara intelektuale dhe për të ndikuar mbi qeveritë kombëtare që të punojnë më shumë për këta fëmijë.

Të ngjashme