Universiteti Haxhi Zeka mbështet Programin Nacional për Rininë

Prishtinë | 12 Shk 2019 | 10:42 | Nga Ekonomia Online

Me qëllim të realizimit të Programit Nacional për Rininë edhe për studentët e Universitetit Haxhi Zeka në Pejë, Koordinatori Nacional për Kulturë Rini dhe Sport në Qeverinë e Republikës së Kosovës, Rexhep Hoti,  nënshkroi marrëveshje bashkëpunimi me Rektorin e këtij universitetit Fadil Millaku.

Koordinatori Hoti tha se ky program mundëson pjesëmarrjen e të gjithë studentëve të Republikës së Kosovës pa dallim. Ai kërkoi mbështetje nga rektori për studentë vullnetarë për të vëzhguar procesin e garës.

“Programi Nacional për Rininë parasheh përfshirjen e rreth 110.000 studentëve nga të gjitha universitet dhe kolegjet e Kosovës në garën e sportit dhe kreativitetit kulturor dhe mendimit kritik. Studentët do të kenë mundësinë të tregojnë aftësitë e veta sportive dhe kreative përmes këtyre garave dhe më të mirët e këtyre fushave do të shpërblehen. Kërkoj mbështetjen e juaj për studentët vullnetarë për të vëzhguar procesin e garës pasi që, mendja më e pakorruptuar dhe më e pastër e shoqërisë është studenti”, tha Koordinatori Hoti.

Duke e mirëpritur Programin Nacional për Rininë, Rektori Millaku e garantoi mbështetjen e programit duke thënë se pret që të jetë një projekt i suksesshëm.

“Për fat të keq në vitet para lufte ka pasur shumë më shumë gara se sa që mbahen tash. Jam shumë i lumtur që një program eksluziv për garën do të zhvillohet këtë vit. Studentët dhe nxënësit kanë nevojë për aktivitete të tilla sepse i largon ata nga dukuritë negative dhe ndihmon shumë në socializimin mes nxënësve dhe studentëve”, tha rektori Millaku.

Marrëveshja e bashkëpunimit përcakton angazhimet e ndërsjella të palëve nënshkruese për implementimin e Programit Nacional për Rininë dhe për organizimet e përbashkëta të aktiviteteve që kanë të bëjnë me përfshirjen e studentëve në garat e kreativitetit kulturor dhe mendimit kritik si dhe të sportit.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme