UP: Ekonomikut i mungon akreditimi

Prishtinë | 23 Pri 2021 | 20:53 | Nga Ekonomia Online

Doktorantët e Fakultetit Ekonomik që protestuan disa herë para rektoratit kundër ritestimit të tyre tani ka gjasë të përballen me një sfidë tjetër.

Atë të pamundësisë për t’u regjistruar në drejtimet që janë pranuar, me që katër nga to nga shtatori do të jenë jovalide.

Kjo pasi Fakultetit Ekonomik, aplikimi për riakreditim të programeve të doktoratës nuk i është pranuar nga Agjencia e Kosovës për Akreditim.

Nëse para muajit shtator këta studentë nuk regjistrohen në sistemin për menaxhimin e informatave në arsimin e lartë, më vonë do të jetë krejt e pamundshme, me që afati tjetër që hap Smial-in është nëntori.

Dekani i Fakultetit Ekonomik nuk deshi të prononcohet për këtë qështje, derisa prorektori për cilësi dhe zhvillim akademik, Elton Bahtiri, tha që AKA nuk i ka njoftuar me kohë që kriteret për riaplikim nuk i kanë plotësuar.

Megjithatë ky tha se do të punojnë që të mos dëmtohen doktorantët e pranuar.

E pyetjes me shkrim të televizionit se a do ta hapë jashtë afatit ligjor Smial-in, Ministria e Arsimit u përgjigj se pret që Universiteti i Prishtinës si dhe të gjitha institucionet tjera të arsimit në vend të respektojnë kërkesat ligjore, përfshirë afatet dhe planifikimin e mirë në çdo proces.

Të ngjashme