UP-ja konfirmon se zv.ministri i Arsimit është student

Prishtinë | 24 Qer 2020 | 15:10 | Nga Ekonomia Online

Zëvendësministri i Arsimit, i emëruar ditë më parë nga Qeveria, Driton Bardheci, është ende student i vitit të tretë në Fakultetin e Inxhinierisë Mekanike.

Këtë e ka konfirmuar dekani i këtij Fakulteti, Ahmet Shala.

Ai ka thënë se Bardheci i ka regjistruar studimet në vitin akademik 2015/2016.

“Ai është student i drejtimit inxhinieri industriale dhe menaxhment, ende nuk i ka përfunduar studimet për është afër përfundimit. Sa i përket suksesit të tij nuk mund të lëshohem në komente të tilla sepse ai ende nuk i ka përfunduar studimet”, ka thënë ai, KOHA.net.

Emërimi i Bardhecit si zëvendësministër i Arsimit ka ngjallur reagime të shumta tek shoqëria civile e organizatat studentore.

“Koha” ka drejtuar pyetje në Qeverinë e Kosovës përse është emëruar zëvendësministër një person pa studime themelore dhe nëse do të anulohet ky vendim por deri tash nuk ka marrë përgjigje.

Ministri i Arsimit, Ramë Likaj nuk është përgjigjur që nga dje, ndërkaq shefi i kabinetit të tij, Gëzim Berisha ka thënë se deri tash i vetmi zëvendësministër i emëruar në MASH, është Bardheci.

“Kjo është informata që e kemi, nuk e kam pa që ka dalë sot në punë. Mirëpo për detaje tjera drejtohu te Qeveria sepse ata e kanë emëruar”, ka thënë ai përmes telefonit.

Edhe ushtruesi i detyrës së sekretarit të MASH, Agim Bërdyna ka thënë përmes telefonit se sipas informatave që i ka deri tash zëvendësministër në këtë institucion është vetëm Bardheci, por që sipas tij, ende s’ka marrë ndonjë dokument zyrtar për këtë.

Bardheci tash e disa vite është aktivist i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) njëherësh edhe kryetar i Rinisë së kësaj partie.

Ai një ditë më parë ka njoftuar përmes një postimi në Facebook se është emëruar zëvendësministër i Arsimit, por më pas e ka mbyllur profilin e tij. “Sot, u emërova zëvendësministër në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës. E falënderoj kryetarin Ramush Haradinaj dhe strukturat e AAK-së për besimin e dhënë! Është nder dhe përgjegjësi e madhe për mua që t’i shërbej shtetit tim dhe gjithë juve që më mbështetët në çdo periudhë. Zotohem se do të përkushtohem plotësisht me të gjitha kapacitetet e mija njerëzore dhe profesionale, në mënyrë që të përballemi suksesshëm me të gjitha sfidat gjatë reformës së sistemit arsimor”, ka shkruar Bardheci në Facebook.

Të ngjashme