Ura e Ibrit nuk do të hapet as këtë vit

Prishtinë | 17 Sht 2018 | 09:34 | Nga

Shefja e Administratës Komunale në Komunën Veriore të Mitrovicës, Adriana Hoxhiq, ka thënë se punët në urë nuk janë projekt i Komunës Veriore të Mitrovicës, por shpreson se ato do të përfundojnë deri në fund të vitit. Hoxhiq është ankuar në buxhetin e vogël të Komunës që përcakton Ministria e Financave, ndërsa ka siguruar se projektet infrastrukturore për të cilat janë investuar mbi 500 mijë euro do të përfundojnë sivjet.

Ura kryesore mbi lumin Ibër nuk do të hapet për qarkullim të automjeteve dhe të njerëzve në vitin 2018 ndonëse kryetari i Mitrovicës së Jugut, Agim Bahtiri, ka dhënë disa data, të fundit në majin e këtij viti, kur ka siguruar mitrovicasit se ura do të hapet në qershor.

Tani kur po afrohet fundi i shtatorit dhe për faktin se punët në rivitalizimin e urës në pjesën veriore dhe në ndërtimin e zonës së këmbësorëve në rrugën “Mbreti Peter” po shkojnë tepër ngadalë, vlerësohet se për hapjen e urës kryesore të Ibrit do të duhet edhe shumë kohë, ndoshta deri në marsin e vitit 2019.

Kjo edhe për faktin se kryetari i Mitrovicës së Veriut, Goran Rakiq, ka kërkuar që para se të lëshohet ura për qarkullim të automjeteve dhe të njerëzve të definohet kufiri i cili ndan Mitrovicën në veri dhe atë në jug, shkruan më tutje “Zëri”.

Shefja e Administratës Komunale në Komunën Veriore të Mitrovicës, Adriana Hoxhiq, duke folur për RKP-në ka siguruar se brenda vitit do të përfundojnë punët në urë dhe rreth urës kryesore të Ibrit, si dhe do të përfundojnë projektet që janë duke u realizuar e për të cilat janë investuar mbi 500 mijë euro.

Hoxhiq ka thënë se Komuna Veriore është përkujdesur për investime në të gjitha fushat dhe në të gjitha mjediset në Komunën Veriore të Mitrovicës.

Në veçanti Hoxhiq është përqendruar te punët që janë duke u zhvilluar rreth urës së Ibrit, përkatësisht në zonën e këmbësorëve në rrugën “Mbreti Peter”, për të cilat tha se ato nuk janë projekte që i kryen Komuna Veriore e Mitrovicës.

“Mendoj se komplet ajo pjesë është një projekt politik. Unë vetëm shpresoj se projekti së shpejti do të përfundojë, pasi ka mbetur vetëm edhe një segment që përbën tërësinë e projektit, natyrisht nëse përfundon gjatë këtij viti”, ka thënë Hoxhiq.

 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme