Ushtarët ukrainas që shërbejnë në Kosovë presin të kthehen në Ukrainë për ta mbrojtur vendin e tyre

Prishtinë | 07 Pri 2022 | 10:17 | Nga Ekonomia Online

Ukraina ka aktualisht rreth 40 ushtarë në mision paqeruajtës në Kosovë. Ata do të kthehen së shpejti në vendin e tyre, të pushtuar nga Rusia qysh më 24 shkurt.

Radio Evropa e Lirë bisedoi me majorin e ushtrisë ukrainase, Ivan Nastenko, i cili thotë se kthimi në zonën e luftës do të jetë nder për të.

Janë bërë dhjetë muaj që kur Ivan Nastenko, ushtar nga Ukraina, shërben në misionin paqeruajtës të NATO-s në Kosovë.

Ai thotë se ditët më të vështira po i përjeton nga 24 shkurti, kur Rusia ka nisur pushtimin e vendit të tij.

Në Ukrainë, Ivani thotë se ka gjithë familjen.

“Duket si çmenduri sigurisht. Është shumë e dhimbshme të shohësh (çfarë po ndodh në Ukrainë), por mendoj se ne jemi në ushtri dhe ne do të përmbushim urdhrin për të mbrojtur shtetin tonë”, thotë Ivani.

Rrreth 40 ushtarë ukrainas aktualisht janë në mission paqeruajtës në Kosovë. Por, ata presin të kthehen në Ukrainë së shpejti, për t’i dalë në ndihmë shtetit të tyre.

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka nënshkruar një dekret në muajin mars, duke kërkuar nga të gjithë pjesëtarët profesionistë të ushtrisë, që janë në misione paqeruajtëse në botë, të kthehen në Ukrainë.

“Fatmirësisht, ne do të largohemi (nga Kosova) së shpejti dhe do ta kemi shansin t’i tregojmë shtetit tonë se sa shumë e duam Ukrainën dhe sa shumë duam të ndihmojmë në mbrojtjen e shtetit”, deklaron Ivani.

Ai është i vetëdijshëm se do të kthehet në zonë të luftës, por thotë se është i përgatitur ta mbrojë me nder shtetin e tij./REL

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme