Ushtari britanik rrëfen tmerret e luftës në Kosovë: Një i moshuar më kërkoi shtatë çanta kufomash për t’i varrosur familjarët e vrarë

Prishtinë | 12 Qer 2022 | 14:06 | Nga Ekonomia Online

Tmerret e luftës që përjetuan shqiptarët i panë edhe 50 mijë ushtarë ndërkombëtarë që erdhen për të ruajtuar paqen në Kosovë më 1999.

Një përjetim të tillë e ruan edhe 23 vjet pas, ushtaraku britanik, Martin Browning, që punonte në kampe të ndryshme të refugjatëve atë kohë.

Një i moshuar i kërkoi Browning shtatë çanta kufomash për t’i varrosur të gjithë familjarët që i mbetën të vrarë nga forcat serbe jashtë dyerve të shtëpisë, njofton Klankosova.tv.

Ushtaraku për Klankosova.tv thotë se gjatë shërbimit të tij në vende të ndryshme ka parë gjithçka të keqe e për këtë edhe nuk mund të qaj, veçse kjo kërkesë e plakut e preku thellë.

“Kam punuar në shtëpinë e “CIMIC” për një kohë sepse kam njohur shumë njerëz të OKB-së dhe OJQ-ve. Një ditë hyri një zotëri i moshuar, ai ishte i qetë dhe dinjitoz. Shumë njerëz të tjerë po shtynin dhe bërtisnin për problemet e tyre që ne t’i dëgjonim, të përpiqeshim dhe (me të drejtë) të merrnin ndihmën tonë”.

“Më në fund, zotëria i vjetër mundi të tërhiqte vëmendjen time dhe gjithçka që ai kërkoi ishin shtatë çanta kufomash për të varrosur të gjithë anëtarët e ngushtë të familjes së tij. Të gjithë ishin qëlluar dhe hedhur në pusin jashtë shtëpisë së tij”.

“Unë nuk qaj, kam parë shumë gjëra të këqija si ushtar, por atë mbrëmje kur isha vetëm ndjeva një trishtim të thellë që është vështirë të përshkruhet. Nuk do ta harroj kurrë forcën dhe dinjitetin e atij shpirti të butë”, thotë Broëning.

Ushtaraku edhe 23 vjet pas e konsideron ndërhyrjen e NATO-s si një veprim të duhur.

“Aksioni ushtarak i NATO-s, ishte mënyra më e përshtatshme për të ndërhyrë në Kosovë. Është turp që një operacion si ai në Kosovë nuk është përsëritur në të njëjtin nivel të suksesit askund tjetër në botë”, thotë Browning.

Të ngjashme