Ushtria thotë se nuk do të lejojë grusht-shtet në Serbi

Prishtinë | 09 Pri 2019 | 18:49 | Nga Ekonomia Online

Sfidat e sigurisë të shkaktuara nga futja e taksave dhe formimi i Ushtrisë së Kosovës, i bëjnë Forcat e Armatosura serbe të vëzhgojnë nga afër çdo ngjarje që mund të shkaktojë pakënaqësi mes serbëve në Kosovë.

Kështu thuhet në një deklaratë të Ministrisë së Mbrojtjes së Serbisë, pas sesionit të përbashkët të Kolegjiumit të ministrit të Mbrojtjes dhe shefit të Shtabit të Përgjithshëm, të udhëhequr nga Aleksandar Vulin, në Beograd. Aty thuhet se KFOR-i dhe bashkësia ndërkombëtare janë përgjegjës për paqen dhe sigurinë e të gjithë atyre që jetojnë në Kosovë.

Sipas Ministrisë serbe të Mbrojtjes, ushtria serbe nuk do të jetë një mjet për të përmbysur autoritetin legjitim në Serbi dhe për të shkatërruar dhunshëm rendin kushtetues.

Si kujdestar i paqes dhe stabilitetit, thuhet më tej në deklaratë, ushtria serbe nuk do të lejojë asnjë përpjekje për grusht-shtet dhe paralajmëron se kushdo që e kërkon atë, do të veprohet në përputhje me ligjin.

Sesioni i përbashkët i Kolegjiumit të ministrit të Mbrojtjes dhe shefit të Shtabit të Përgjithshëm mbahet në kohën kur në Serbi po mbahen protesta të vazhdueshme të opozitës me kërkesat për rrëzimin e presidentit aktual Aleksandar Vuçiq.

Të ngjashme