Uta Ibrahimi nuk ndalet: Ngjitet edhe në majen Cho Oyu (8,201), në Himalaje 

Prishtinë | 28 Sht 2018 | 12:05 | Nga

Uta Ibrahimi, alpinistja e parë dhe e deri tash e vetmja shqiptare që po ngjitet majave më të larta të botës, pas ngjitjes së më të lartë në botë – Majës së Everestit, pas ngjitjes së dy majeve tjera – Manaslu (e 8-ta më e larta) dhe Lhotce (e 4-ta më e larta) – më 26 shtator, në ora 11.06 (China Time) e ngjiti me sukses edhe Majën Cho Oyu (maja e 6-ta më e lartë) 8,201 metra lartësi mbidetare, Tibet- Kinë.

Këtë ngjitje ajo e bëri pa sasi shtesë të oksigjenit, edhe shënon edhe një rekord të ri për alpinistën shqiptare Uta Ibrahim.

“Kjo ngjitje ka qenë më sfiduese nga të gjithat deri me tani. Rotacionet e aklimatizimit kryesisht i kam bërë vet dhe të gjitha paisjet personale i kam bajt vet, pra pa ndihmën e Sherpave, deri në ditën e majës kur ju kam bashku ekipeve të tjera. Këtu kam pas pak ndihmë nga sherpat e ngjitjes, por kryesisht jam ngjitur me shumë peshë shtesë.” – thotë Uta.

Uta kishte planifikuar që të ngjitet pa sasi shtesë të oksigjenit, mirë në natën e majës, dikun në 7,800 metra, kanë filluar ti ngrihen gishtat e dorës, që e ka shtyer atë të përdor oksigjen vetëm deri në lindjen e diellit (afërsisht deri te maja e Cho Oyu-së).

“Këto ngjitje të harxhojnë shumë nga vetja. Të duhet forcë dhe motiv i bollshëm për me arritë drejt majës. Motivi dhe shtyrësi i ngjitjeve të mia është populli im dhe ndjenja e krenarisë kur valvoj flamurin e shtetit dhe të kombit. Për popullin tim, malet e mia” – shprehet Uta, e emocionuar.

Uta Ibrahimi tani gjindet në kampin bazë dhe së shpejti do të zbret në Kathmandu, Nepal. Pastaj me 7 tetor fillon ngjitjen në Amadablam, maje mjaft teknike, por jo e lartësisë 8,000m+.

Brenda 18 muajve, Uta Ibrahimi ka ngjitur 4 nga gjithsej 14 majeve më të larta në botë, që njihen si majet 8,000-jëshe (sepse të gjitha janë mbi 8,000m lartësi mbidetare).

Ekspedita është përkrahur nga: Qeveria e Kosovës, e në vecanti nga zv. Kryeministri Enver Hoxhaj, Federatën Bjeshkatare të Kosovës, Shba Pashtriku, Shba Dajti, Turkish Airlines, Familja Begeja dhe Birra Puka, UN Kosovo, UN Woman, UNICEF, UNFPA Kosovo.

Ekspedita “14 majet e Himalajeve” e ndërmarrë nga vet Uta Ibrahimi, ka për qëllim që të pushtojë të gjitha 14 majet më të larta në botë, që gjinden në malet e Himalajeve. Këtë e kanë bërë shumë pak njerëz në botë, dhe Uta synon që të jetë shqiptarja e parë që e arrinë këtë.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme