Vajza e Xhemajl Fetahajt: Babai im i ka takuar UÇK-së, nuk ka qenë pjesë e asnjë krahu politik

Prishtinë | 31 Maj 2019 | 13:03 | Nga Norë Kelmendi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Dëshmorët Xhemajl Fetahaj dhe Milazim Shala janë përkujtuar sot në një akademi përkujtimore në 20- vjetorin e rënies së tyre në Betejën e Koshares, raporton Ekonomia Online.

Erza Fetahaj, vajza e dëshmorit, Xhemajl Fetahajt, pati pakënaqësi me akademitë e kaluara ku përmendej se babai i saj i ka takuar ndonjë krahu a ndonjë rrymë.

Ajo tha se babai i saj i ka takuar vetëm UÇK-së dhe atë nuk e ka thirrur askush përveç atdheut.

“Na ka rastisur që në akademitë e kaluara ka qenë i atij dhe këtij. Ndonëse ende nuk kam qenë e lindur kur babai im ra dëshmor, kam mësuar që ai nuk i ka takuar ndonjë krahu a rryme, por organizatës e cila e ka themeluar UÇK-në. Kam mësuar se Xhema nuk ka shkuar në luftë se e ka thirr filani a fisteku, por ka shkuar se e ka thirrur atdheu”, tha ajo, raporton EO.

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, duke kujtuar dy dëshmorët, Xhemajl Fetahajn dhe Milazim Shalën, tha se rënia e dëshmorëve të shumtë në beteja tregon më së miri çmimin e lartë të lirisë dhe pavarësisë së Kosovës.

“Në prag të çlirimit të vendit tonë para 20 vjetëve, UÇK pati edhe goditje. Sot e 20 vjet më parë ranë heroikisht bashkëluftëtarët tanë,  Xhemjl Fetahajt hyn në radhët e luftëtarëve që kanë një biografi të jashtëzakonshme në rrugën e tyre të idealit për liri dhe pavarësi të Kosovës. Unë kisha nderin të bashkëveproja në të njëjtën organizatë politike me Xhemajl Fetahaj. Rënia e dëshmorëve të shumtë në beteja tregon më së miri çmimin e lartë të lirisë dhe pavarësisë së Kosovës, sa më shumë po kalon koha aq më shumë po dalin në pah vlerat e UÇK-së. Prandaj nuk do ketë sukses asnjë përpjekje për të njollosur vlerat e UÇK-së. Për dy dekada Kosova ka bërë një progres të jashtëzakonshëm. Viti 2019 është shpallur vit i Nato-s. Kosova ka qenë dhe mbetet mirënjohëse për kontributin e ShBA-së, BE-së dhe Nato-s për liri dhe pavarësi”, tha Thaçi.

Kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj, tha se institucione tona edhe qytetarët e kanë obligim mbledhjen për t’i kujtuar heronjtë e rënë.

“Sa herë që mblidhemi bashkë të gjithë mundohemi me nxjerrë në dritë të kaluarën ndoshta nuk është nxjerrë në dritë për këta bashkëluftëtarë dhe heronj tonë. Fetahaj është një familje që ka tradita të atdhedashurisë, që është ndër breza. Është një familje tipike shqiptare e respektuar nga të gjithë. Ne e kemi obligim që përherë të bashkohemi e t’i nderojmë heronjtë tonë. Shprehim respekt jo vetëm për aktin e tyre, por edhe për kontributin e tyre. Unë jam i bindur që do dimë të ecim rrugës së heronjve dhe do t’i nderojmë ata së bashku”, tha Haradinaj.

Ministri i Mbrojtjes, Rrustem Berisha, tha se në luftën e Koshares nuk ka pasë politikë. Sipas tij, politika e vetme e kësaj brigade ka qenë lufta për liri dhe pavarësi.

“Nëpërmjet nderimit të veprave të heronjve tanë nderohet dhe vlerësohet vepra e Betejës së Koshares. Ai e ka zgjedhë një rrugë jashtëzakonisht të vështirë dhe një rrugë të sakrificës, por ai edhe pas largimit nga Kosova e vazhdoj veprimtarinë e tij. Jam krenar që në strukturën e brigadës e kam pasë Xhemajl Fetahajn dhe Milazim Shalën. Beteja e Koshares ishte një betejë frontale dhe kjo betejë nuk ishte rastësi, por ishte betejë e planifikuar. Në Koshare ne nuk kemi pasë politikë, politika e vetme e kësaj brigade ka qenë lufta dhe kauza për çlirimin e Kosovës”, tha Berisha.

Të ngjashme