Vala dhe IPKO nuk i braktisin kodet e vjetra telefonike

Prishtinë | 30 Pri 2019 | 07:48 | Nga Ekonomia Online

Operatorëve telefonikë, Vala dhe IPKO, mund t’iu rikthehen gjobat për shkak të shfrytëzimit të kodeve të vjetra, përkatësisht +377 dhe +386.

Zyrtarët e të dy operatorëve e kanë pranuar se po vazhdojnë komunikimet telefonike nëpërmjet trafikut “ilegal”, ndërsa drejtuesit e Autoritetit Rregullativ të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP) kanë thënë të mos jenë në dijeni të shkeljes së ligjit, shkruan sot “Koha Ditore”.

Operatori Vala ka njoftuar në muajin shkurt përmes njoftimeve dërguar klientëve me SMS, por edhe përmes fushatave të ndryshme, se kodi i vjetër i këtij operatori nuk funksionon as në trafikun ndërkombëtar e as në atë vendor, por thirrjet nga operatori tjetër, IPKO në drejtim të Valës, sipas testeve, mund të realizohen ende me +377.

Kryeshefi ekzekutiv i Telekomit të Kosovës, Bedri Istrefi, ka thënë të jetë befasuar me këtë informatë. Fillimisht ai ka thënë për “koha.net” se mund të jetë problem teknik që ka mundur të ndodhte në centralet e këtij operatori. Dyshonte se thirrjet nga IPKO në Vala kanë mundur të jenë realizuar në kohën kur një ekip i inxhinierëve kanë qenë duke punuar në një regjion e pastaj për arsye teknike janë aktivizuar thirrjet me Kodin +377.

Të ngjashme