Varrimi i Kryeprokurorit të Gjakovës u krye duke mos i respektuar rregullat e pandemisë

Prishtinë | 18 Gus 2020 | 11:23 | Nga Ekonomia Online

Dje iu është dhënë lamtumira e fundit kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore në Gjakovë, Ali Selimaj, raporton Gazeta Express.

Varrimi i Selimajt është përcjellë me nderime të larta, derisa, është organizuar nga Komuna e Gjakovës.

Ani pse i ndjeri ka ndërruar jetë në kohë të pandemisë, ku  me vendim Qeverie janë të ndaluar tubimet publike, përfshirë këtu edhe pjesmarrjen në varrime, kjo nuk është përfillur gjatë ceremonisë së varrimit të kryeprokurorit Selimaj.

Kjo shihet edhe në pamjet e publikuara nga televizionet lokale në Gjakovë dhe në faqen zyrtare të Komunës.

Pjesmarrës në varrim ishte edhe kryetari i Gjakovës, Ardian Gjini që e mori i pari fjalën.

“Me nderime të larta dhe respekt maksimal është varrosur sot kryeprokurori i Prokurorisë Themelore të Gjakovës Ali Selimaj, aktivist i hershëm për mbrojtjen e lirive dhe të drejtave të njeriut, aktivist në aktivitete kombëtare dhe mbajtës i disa funksioneve udhëheqëse për disa mandate në pushtetin lokal në Gjakovë. Në ceremoninë lamtumirëse, të mbajtur nën patronatin e kryetarit të komunës së Gjakovës Ardian Gjini, mes tjerash u vlerësua lartë humanizmi, atdhedashuria dhe kontributi i pashembullt i Ali Selimajt”, citohet të ketë thënë Gjini.

Pos kryetarit të kësaj komune, ka folur edhe një përfaqësues nga Prokuroria Themelore e Gjakovës, e një anëtar i familjes.

Para ceremonisë së varrimit, para arkivolit janë bërë homazhe si dhe janë vendosur kurora me lule.

Policia e Kosovës disa herë ka njoftuar se kanë ndërhyrë për të shpërndarë persona të tubuar nëpër hapësira publike. Megjithatë, njëjtë nuk ka ndodhur në ditën e varrimit të kryeprokurorit.

Të ngjashme