Vasfija nga Vushtrria rrëfen publikisht si u dhunua gjatë luftës

Prishtinë | 16 Tet 2018 | 23:27 | Nga Ekonomia Online

Vasfije Krasniqi-Goodman ka thyer një tabu në shoqërinë kosovare pasi është bërë gruaja e parë, viktimë e dhunës seksuale gjatë luftës së Kosovës, që ka rrëfyer sonte publikisht tmerrin e përjetuar kur është përdhunuar nga forcat policore serbe në vitin 1999.

Vasfija, 36-vjeçarja e cila jeton në Teksas të Shteteve të Bashkuara, me lot në sy ka rrëfyer për torturat që kishte përjetuar gjatë luftës si 16-vjeçare. Ajo ishte përdhunuar nga dy serbë: njëri prej tyre polic i regjimit të Slobodan Millosheviqit. Rasti, siç tregon ajo, kishte ndodhur në fshatin Babimovc të Vushtrrisë.

“Më 14 prill të vitit 1999 kam qenë në oborr dhe kam hyrë brenda dhe i kam thënë nënës me dalë dikush te dera me qelë derën. Dikush jashtë derës na tha ‘qelne derën’… edhe është dashtë me qelë”, nis rrëfimin, 36-vjeçarja nga Stanovci i Vushtrrisë. “Ne nuk e dinim nëse kanë hy me na vra apo kanë hy me bastisë, mirëpo ai pyti se ku e keni babën edhe vëllanë. Nana i tha që janë në Gjermani, e ai më tha: ‘Jo nuk janë në Gjermani, por kanë shkuar në luftë’.”

“Ai hyri brenda dhe më pastaj më mori mua, më tha se do të shkojmë për të dhënë deklaratë në polici”, tregon Krasniqi-Goodman.

Në këtë intervistë për Televizionin Publik të Kosovës, Vasfije Krasniqi-Goodman thotë se nuk dëshironte të shkonte me policin serb. “Nuk doja të shkoja, por ai më kapi dhe më futi në një makinë 101-sh të kaltër.”

Asokohe 16-vjeçare, Krasniqi e kishte kuptuar që diçka e keqe do t’i ndodhte asaj në momentin kur vetura të cilën po e ngiste zyrtari policor serb nuk po shkonte në drejtim të stacionit të Policisë në Vushtrri, por diku tjetër.

“Ai nuk vazhdoi drejtë ku është stacioni i Policisë, por ka vazhduar në drejtim të Prishtinës. Unë e dija, por se kuptoja se çfarë do të ndodhë me mua sepse unë kam qenë fëmijë, 16-vjeç. Ka ardhur në fshatin Babimovc tek një kishë aty; fshati ka pasur shumë serb”, vijon rrëfimin kosovarja 36-vjeçare.

“Në atë moment unë vetëm doja të vdisja me një plumb edhe kurgjo tjetër. Veç me më vra”, thotë Krasniqi-Goodman me lot në sy.

Vasfija thotë se polici serb i kishte thënë se nuk do ta vriste në mënyrë që ajo të vuante më shumë.

“E ka ndal kerrin dhe më ka detyruar me dalë prej kerrit dhe aty kishte patur kallamoq. Më ka gjuajtur aty dhe çfarë ka ndodhur pastaj nuk mundesh me marrë me mend. E ka pasur dorën e majtë të lidhun edhe thojke: ‘Nuk të vras sepse kështu hjekë më shumë”, shprehet ajo.

Por, tmerri i asaj dite për Vasfijën nuk ishte ndalur me kaq. Ajo shprehet se ishte dhunuar seksualisht edhe nga një tjetër person, që ishte veshur me rroba civile.

36-vjeçarja, e cila kishte qenë vetëm 16-vjeçare në kohën kur i ishte nënshtruar torturave dhe dhunimit seksual, tanimë jeton në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe është nënë e dy fëmijëve.

Për vendimin e Vasfije Krasniqi-Goodman për t’u rrëfyer sot publikisht në televizionin publik, është deklaruar edhe ish-presidentja Atifete Jahjaga, e cila përmes një shkrimi në rrjetin social Facebook është shprehur se “momente të tilla janë prekëse” dhe se shembulli i Vasfijës “është tregim i shpresës dhe guximit”.

Edhd kryeministri ramush Haradinaj e ka përgëzuar këtë grua të guximshme që ka vendosur të flasë hapur për njërën prej plagëve më të mëdha të popullit tonë. “Guximi i saj le të jetë udhërrëfyes për viktimat e shumta të dhunës seksuale gjatë luftës, që të ngriten mbi dhimbjen dhe me dëshmitë e tyre të dokumentojnë krimin, që të ngadhnjejë drejtësia”

Rrëfimi i Vasfije Krasniqi-Goodman, i  transmetuar në televizionin publik të Kosovës:

Në shtëpi kemi qenë unë, nëna dhe vëllai i vogël. Më 14 prill ‘99 kam qenë në oborr dhe ka kërsit dikush në derë. Nana e ka pas çelësin. Në ato momente ka qenë edhe gruaja e axhës. Kam hy brenda i kam thënë që dikush është te dera. Kanë qenë policët serbë me uniformë dhe na thanë ta hapim derën. Nuk e dishim a po hynë me na vra, a veç për me na bastis.

Një nga ushtarët kërkoi letërnjoftimet tona. Unë kam hy në dhomë me i marr, dhe ai ka hy mas meje. I kam dhënë letërnjoftimet. E ka kqyr letërnjoftimin e nënës dhe timin. E majke në dorë letërnjoftimin tim. Më thanë që duhet me ardh me neve në stacion të Policisë më dhanë deklaratë. Nëna ka thënë merrnum mu, jo çikën. E i kanë thanë po e marrim këtë se është fëmijë e nuk dinë me rrejt. Na thanë mos folni e mos lëvizni se ju vrasim. Jam afru ngat nënës. Pastaj mua më futen mbrapa në makinë.

Nuk kanë shkuar në stacion të policisë, por kanë ardh në drejtim të Prishtinës. Kam qenë 16 vjeç, nuk e kam dit çfarë ka me ndodh me mu. Ushtari serb që voziste është ndal në kishë të një fshati. Aty ka pasur shumë serbë. Kur kena shku te kisha, e merrke shkrepsën e dhezke para fytyrës time. Në atë moment kam dashur të më vrasin me një plumb dhe asgjë tjetër.

Ka dal prej fshatit dhe sërish ka vazhduar në drejtim të Prishtinës. Pastaj është ndalur në një shtëpi dy katëshe. Më ka gjujt në talla të kallamoqit. Unë kam fillu me qajt edhe me bërtit. Aty më ka ndodhur ajo që s’merret dot me mend. E ka pas dorën e majt të lidhur, dhe thojke që ti ki me pagu për atë që ka bërë babai e vëllau yt. Unë kërkojsha mem vra, e më ka thënë jo nuk të vras, se kështu hjek më shumë.

Ushtari serb ka hy në një shitore, e mu më ka lanë në makinë. Pastaj, ka ardhur dikush tjetër në tesha civile, më ka hjek prej makine, edhe më ka fut në një shtëpi afër shitores dhe ai më dhunon njëjtë. Më kanë kthy prapë në makinë dhe ka kalu 1 ushtar e i kam thënë që po du mem çu në shpi.

Do policë më kanë thënë mos me kallxu ku je kanë, se nëse kallxon na vina të marrim prapë. Më kanë lënë në rrugë te stacioni i autobusit. Unë kam shku te shtëpia e migjes, prej tutes që pom marrin prapë. Kur kam shku aty, i kishin largu gratë e fëmijët kur kanë dëgju që më kanë marr mu. Aty e kam gjet nanën, axhën dhe dy kojshi. Nana kish thanë që s’du me ik masi ma kanë marr çikën. I kam thënë nënës që duhemi me ik në Prishtinë.

Nuk kam mundur t’ju tregoj çfarë më ka ndodhur. E kam humbur vetëdijen, s’kam mujt me fol. Në fillim kam qenë shumë keq me shëndet. Unë e kam raportuar rastin e UÇK-ja më kanë dhënë barna për qetësim, se mjekë nuk ka pasur aty. Pastaj jemi kthyer sërish në Vushtrri. Mendonim që është motra aty e dojshim me u ba bashkë me të. UÇK-ja më ka thënë që është rrezik me dalë. Kemi has rrugës në kufoma me uniformë të UÇK’së.

Kam kërkuar drejtësi përmes UNMIK’ut. E kam lajmëruar rastin aty dhe pastaj kam dashur të ik nga Kosova. S’kam qenë mirë as me shëndet. Kam shkuar në Amerikë. UNMIK’ut iu kam drejtuar më 1999. Me rastin s’ka ndodhur asgjë. Më 2003 familjarët kanë dhënë deklarata, po unë jo. Edhe kështu s’ka ndodhur asgjë. Më 2010 isha në Gjermani te vëllau e u kthejshim për Kosovë, përmes Serbisë. Unë u tuta shumë. Jam frikësu që po takohna sërish në qata persona. Vëllau ka kërku me shku me këqyr çka ka ndodhur me rastin. Shkojshim në Polici, e në EULEX. Më kanë thënë që s’ka rast të lajmërum, veç nëse don me paraqit prapë. E kam paraqit prapë rastin më 2010, e kam dhënë intervista. Edhe më 2012 u arrestuan dy persona, e pastaj ka filluar procesi gjyqësor.

Familjarët kanë qenë në seanca, unë kam qenë në Amerikë, kam dhënë deklarata. Jemi kanë pa avokat. Gjyqi në Mitrovicë i ka lënë të pafajshëm ata persona, e shkalla e dytë e Gjykatës i ka dënuar, njëri 12 vjet, tjetri 10 vjet. E pastaj shkalla e tretë e gjykatës sërish i ka liruar. Vëllau më ka tregu si ka përfundu. Kam dashur shumë herë të dorëzohem, por e kam mbrojtjen e familjes, burrit, vajzave. Viktimat e dhunës seksuale duhet me pas mbrojtjen e bashkëshortit, familjes e shoqërisë. Boll më i kanë shkel. Nuk bon me i humb shpresat në jetë. Ndoshta ende ka në Kosovë njerëz që kanë dhunuar. Ne duhet të flasim se çfarë kanë bërë serbët me neve. Duhet me u dënu ata.

Unë kur e kam lut mem vra, ka thënë që ke me hjek më shumë kështu. Edhe e vërtet ka qenë. Unë kam menduar që më lehtë është me ba vetëvrasje, po e kam pasur përkrahjen e gjithë familjarëve që nuk më ka lënë me u dorëzu. Duhet me i mbrojt e me i ngrit të dhunuarat që të flasin për ato që kanë përjetuar.

Të ngjashme