Vazhdojnë mospajtimet rreth Projektligjit për mësimdhënësit e viteve 1990-ta

Prishtinë | 17 Tet 2018 | 15:12 | Nga Mehmet Krasniqi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Komisioni për Arsim, Shkencë, Teknologji, Kulturë, Rini, Sporte, Inovacion dhe Ndërmarrësi ka shqyrtuar mes mospajtimesh Projektligjin për statusin e punëtorëve të arsimit shqip të viteve 1990-ta.

Mospajtimet ishin rreth nenit 7 që përfshihen përfitimet e pensioneve, raporton EkonomiaOnline.

Anëtarët e komisionit u dakorduan që së pari të harmonizohen propozimet dhe pastaj të vendoset  në votim projektligji.

Deputetja e LVV-së, Arbërie Nagavci, kërkoi të merren propozimet e palëve dhe të formohet një grup punues i cili do t’i shqyrtonte ato. Kjo sipas saj në mënyrë që të arrihet një konsensus dhe pastaj të hedhet në votim.

Të pranishëm në mbledhjen e sotme ishin të pranishëm edhe përfaqësues të Ministrisë së Financave.

Teuta Haxhiu nga AAK vlerëson se me këtë nen shkelen të drejtat e njeriut.

“Çështja e pensioneve me 75 euro nuk është vetëm për punëtorët e arsimit, por edhe në sektorë tjerë. Kjo është më shume se shkelje e të drejtave të njeriut,” tha Haxhiu.

Nait Hasani nga PDK-ja, ka kërkuar që të hiqet neni 7 nga projektligji, duke thënë se benificionet janë të larta dhe e dërgojnë shtetin në kolaps.

“Nëse qëllimi i punëtorëve është me fitu lekë apo me iu njoftë stazhi. Neni 7 është nëse doni me fut në kolaps shtetin. Kërkoj që të hiqet neni 7 dhe t’i njihet stazhi,” deklaroi Hasani.

Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Rrahman Jashari, ka kritikuar deputetin Nait Hasani për kundërshtimet e tij ndaj propozimit të SBAShK-u, raporton EO.

“Po çuditem shumë me Nait Hasanin. Ka qenë kryetar dhe duhet të ndihet keq që ky ligj ka historik 5 vjet. Njerëzit po vdesin, por një njeri si ky që thotë të hiqet neni 7, duhet ta dijë se mësimdhënësit iu njihen edhe ato vite si kontribut. Thuani nuk po dojmë me bë këtë ligj.  Naiti është dashur të luftojë para pesë vitesh për ligjin,” është shprehur Jashari.

Valentina Bunjaku Rexhepi, ka kërkuar që të merren parasysh kërkesat e qeverisë, të SBAShK-ut dhe të komisionit. Ajo kërkoi që këta mësimdhënës të trajtohen në mënyrë të drejtë.

“Nuk po bëjmë politikë, ata janë më meritoret e asaj kohe. Është me rëndësi këta mësimdhënës mu trajtu korrekt. Nuk votoj nëse nuk përmbushen kërkesat tona, të SBAShK-ut dhe Qeverisë,” tha Bunjaku.

Nait Hasani ka thënë se shifrat e benificioneve për një muaj kushtojnë mbi katër milionë euro, ndërsa për një vit, sipas tij, kap shifrën e rreth 60 milionë euro.

“Isa Mustafa ka qenë kryeministër kur unë kam qenë kryetar. Mustafa s’ka guxu me pru këtë ligj për shkak të këtyre shifrave. Kërkoj që njohja e benificioneve është e drejt, por edhe ai që e ka lëshuar shtëpinë duhet të ketë benificion, këtu nuk janë. Duhet me lënë stazhin e punës, i cili i njeh të drejtën e benificioneve,” pohoi Hasani.

Përfaqësuesja e Ministrisë së Financave dhe ata të SBAShK-ut janë përplasur verbalisht rreth kostos së këtij projektligji.

Mevlide Shamolli nga Ministria Financave tha se ekzistojnë rreziqe financiare sa i përket kësaj çështjeje, derisa ka kërkuar që të behet një vlerësim real i mësimdhënësve të viteve të 90-ta.

“Ne po e dimë çfarë rreziku financiar është, i kemi rekomandimet e FMN-së.  Jemi të interesuar të bëhet një vlerësim real, jemi për t’ju ndihmuar. Na duhet me ditë sa kushton ky ligj,” tha Shamolli.

Përfaqësuesi i SBAShK-ut, Ymer Imeri, ka akuzuar Nait Hasani se po bën propagandë me shifra.

“Nait mos bë propagandë.  Për një vit duhen dy milionë. Nait i ke marrë disa vota prej mësimdhënësve, Mësimdhënësve në fushatë po ju thu ndryshe. Propozimi ynë për pagë nëse shkon, që një vjetëshi të llogaritet 20 muaj,” deklaroi Imeri.

Kryetari i komisionit, Ismail Kurteshi, ka kërkuar që shtesa të jepet mbi pensionin aktual që e kanë mësimdhënësit.

“Ne kemi propozuar si komision që shtesa të jetë mbi pensionin aktual. Jam që të kategorizohen mësimdhënësit e viteve 90. Ai që e ka 157 euro, me shtesë le të bëhet 250 euro apo sa të bëhet,” deklaroi Kurteshi.

Fillimisht neni 7 përfshinte dy kategori, mësimdhënësit që kanë punuar prej pesë deri në 10 vite. Kategoria e parë përfshinte 65 për qind të pagës bazë, ndërsa e dytë 75 për qind. Gjatë shqyrtimit të këtij projektligji nga anëtarët e komisionit për arsim, ky nen është ndryshuar dhe është ndarë në 9 kategori, të cilat nuk janë të pranueshme për SBAShK-un.

Të ngjashme