Vazhdon edhe të martën bllokada afër Jarinjës, policët e Kosovës detyrohen të ecin 4-5 kilometra në këmbë

Jarinjë | 21 Sht 2021 | 18:08 | Nga Kastriot Kokollari Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Bllokada e krijuar nga protestuesit serbë në afërsi të pikës kufitare në Jarinjë ka vazhduar edhe të martën, madje është rritur numri i veturave dhe pjesa e bllokuar e rrugës, raporton ekipi i Ekonomia Online nga vendi i ngjarjes.

Rreth 4-5 kilometra rrugë vazhdojnë të jenë të bllokuara nga serbët lokalë, të cilët po e kundërshtojnë vendimin e Qeverisë së Kosovës, për vendosjen e masës së reciprocitetit për targat.

Policët e Kosovës, të armatosur me armë të gjata, në atë pjesë detyrohen të ecin këmbë, kur dëshirojnë të kryejnë ndërrimet e turneve.

Të shoqëruar nga njësitet speciale, ekipi i Ekonomia Online dhe të disa medieve të tjera nga Prishtina kanë arritur të dalin në jug, pas më shumë 24 orësh të kaluara në ambient të hapur.

Forcat e Policisë së Kosovës kanë qëndruar në gatishmëri gjatë gjithë natës, pas protestave lidhur me vendimin e Qeverisë së Kosovës, për masën e reciprociteti.

Kosova insiston që masa e reciprocitetit nuk u vendos për të provokuar serbët, ndërkaq Serbia kërkon tërheqjen e policisë nga veriu, në të kundërtën ka paralajmëruar masa. Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian u kanë bërë thirrje Prishtinës dhe Beogradit që të ulin tensionet dhe të shmangin veprime të njëanshme që do ta përkeqësonin situatën në veri.

Sipas vendimit, veturat që hyjnë nga Serbia duhet të pajisjen me targa të përkohshme në pikëkalimet kufitare të Kosovës.

Qeveria e Kosovës ka thënë se të gjithë shoferët me targa të lëshuara nga Serbia, duhet të paguajnë 5 euro për targa të përkohshme dhe vlefshmëria e tyre është 60 ditë.

Lexo më shumë:

Të ngjashme