Vazhdon fuqizimi i integrimit në organizatat mjedisore evropiane

Prishtinë | 06 Pri 2017 | 14:25 | Nga

Kryeshefi i AMMK-së, Ilir Morina po merr pjesë në takimin e 28-të të Rrjetit EPA, që po mbahet në Romë të Italisë.

Në takim e 28 plenarë të Rrjetit të Agjencive të Mjedisit të Evropës, po marrin pjesë përfaqësuesit e Agjencive Mjedisore dhe institucioneve tjera relevante nga shumica e vendeve të Evropës.

Në pjesën hyrëse të këtij takimi është folur për aktivitetet kryesore te realizuara nga rrjeti në mes të dy takimeve, përfshirë edhe shkëmbimin e përvojave me Komisionin Evropian dhe me Agjencinë e Mjedisit të Evropës, ku kanë referuar Drejtori i Drejtoratit për Mjedisi të Komisionit Evropian, Daniel Cellaja Crespo, dhe Drejtori Ekzekutiv i Agjencisë së Mjedisit të Evropës, Hans Bruyninckx.

Ndërsa në kuadër të sesioneve tematike në fokus të takimit gjatë ditës së parë ishin politikat, masat dhe veprimet në përmbushjen e Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm dhe në implementimin e Agjendës 2030 të Bashkimit Evropian, ku me theks të veçantë ka pasur referime dhe diskutime për çështjet që ndërlidhen me adaptimin dhe reagimin ndaj ndryshimeve klimatike dhe rreziqeve natyrore.

Diskutimet për këtë çështje tematike kanë vazhduar edhe në sesionin pasues të takimit, ku ndër të tjera vëmendja është përqendruar në monitorimin, raportimin dhe rishikimin e progresit për përmbushjen e Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm, ku janë prezantuar përvoja, vlerësime, tregues dhe programe nga nivelet nacionale por edhe nga organizatat regjionale.

Në kuadër të agjendës së takimit për ditën e nesërme është planifikuar diskutimi për aktivitetet e rrjetit në kuadër të grupeve të interesit, e ku një nga grupet e rëndësishme të rrjetit është edhe Grupi i interesit për vendet e Ballkanit Perëndimore, që funksionon në kuadër të EPA, i cili gjatë periudhës në mes dy takimeve ka realizuar disa aktivitete për finalizimin e projekteve që përfshijnë sektorët e ndryshimeve klimatike, ajrit, mbeturinave, ujit dhe biodiversitetit.

Në sesionin përmbyllës të takimit do të flitet për disa çështje që ndërlidhen me emergjencat mjedisore, përfshirë ndikimin e ndotjes së ajrit dhe ndryshimeve klimatike në trashëgiminë kulturore, temë kjo që ndërlidhet edhe me vizitën studimore që pjesëmarrësit e datikit do ti bëjnë disa objekteve të trashëgimisë kulturore në Romë.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme