Vazhdon “Java e mërgimtarëve” me ekskursion në vendet me rëndësi historike dhe turistike të Malishevës

Prishtinë | 31 Kor 2018 | 12:45 | Nga

Në kuadër të aktiviteteve që po shënohen me rastin e “Javës së mërgimtarëve”, sot po mbahet aktiviteti i radhës, përkatësisht organizimi i ekskursionit me fëmijët e mërgimtarëve dhe nxënësit e shkollave të Malishevës, në vendet me rëndësi historike dhe turistike të Komunës së Malishevës.

Këto aktivitete, janë duke u organizuar nga Instituti “LEDS”, dhe po mbështeten nga Komuna e Malishevës dhe Ministria e Diasporës dhe Investimeve Strategjike.

Ekskursioni i sotëm ka filluar në Malishevë, për të vazhduar në pishinat e Banjës, në varrezat e dëshmorëve në Malishevë dhe Kleçkë, pastaj tek Shpella e Flladit në Panorc dhe do të përfundoj në Ujëvarat e Mirushës, dhe përmes këtyre vizitave, fëmijët do të njoftohen me vlerat turistike dhe historike që ka Komuna e Malishevës.

Gjatë vizitës në varrezat e dëshmorëve në Kleçkë, grupit ju bashkua edhe nënkryetari i Komunës së Malishevës, Hajdin Berisha, i cili edhe i ka njoftuar fëmijët me rëndësinë e luftës së UÇK-së dhe kontributin e dëshmorëve të kombit, për lirinë e vendit.

Krahas zyrtarëve të Institutit “LEDS”, fëmijët po shoqërohen edhe nga zyrtarët e drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport, të prirë nga drejtoresha Besartë Kryeziu-Ramaj, të cilët po i njoftojnë fëmijët, me rëndësinë dhe vlerat e këtyre vendeve, si në aspektin historik ashtu edhe në aspektin e trashëgimisë natyrore dhe pasurisë natyrore dhe turistike që ka Malisheva.

Aktivitetet e Institutit “LEDS”, do të përfundojnë nesër, me organizimin e një sofre, me ushqime tradicionale shqiptare dhe të trevës së Malishevës.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme