Vazhdon Java Kundër Korrupsionit, diskutohet roli i sinjalizuesve në prokurim

Prishtinë | 12 Dhj 2019 | 01:25 | Nga Ekonomia Online

Koalicioni i OJQ-ve për Javën Kundër Korrupsionit 2019, përkatësisht organizatat KDI, D+ dhe INPO, organizojnë sot tryezën e diskutimit me titull “Sinjalizuesit në luftën kundër korrupsionit në prokurim publik”.

Në tryezën që do të mbahet nga ora 10:00, në Hotel “Sirius”, do të diskutohet rreth integritetit të biznesit në prokurim publik, roli i sinjalizuesve në ekspozimin e korrupsionit në prokurim publik si dhe roli i Organit Shqyrtues të Prokurimit në sistemin e prokurimit publik, transmeton EO.

“Korrupsioni aq sa është i keq për shoqërinë është i dëmshëm edhe për biznesin, duke paraqitur rreziqe të rënda financiare, operacionale dhe ndikime në reputacion. Tani më shumë se kurrë, kompanitë janë duke ndërmarrë veprime për të zbatuar masa dhe politika serioze dhe efektive kundër korrupsionit brenda strategjive dhe operacioneve të tyre, si dhe duke luajtur një rol efektiv në luftën kundër korrupsionit si në sektorin publik, po ashtu edhe në atë komercial”, thuhet në njoftimin për shtyp.

Në tryezë do të marrin pjesë përfaqësues të institucioneve si Organi Shqyrtues i Prokurimit, Komisioni Rregullativ për Prokurim Publik, Zyra Kombëtare e Auditimit, Agjencia Kundër Korrupsionit, Këshilli Prokurorial i Kosovës, Policia e Kosovës, përfaqësues të Odave Ekonomike dhe përfaqësues nga bizneset dhe shoqëria civile.

Të ngjashme