Vdekje e lëndime të punëtorëve në Kosovë, punëdhënësit shpëtojnë pa asnjë ndëshkim nga ndjekja penale

Prishtinë | 25 Qer 2019 | 14:17 | Nga Ekonomia Online

Punëtorët në Kosovë vazhdojnë të ballafaqohen me probleme të shumta gjatë punës së tyre. Sektori i ndërtimit vazhdon të jetë ai më i ndjeshmi, me numrin me të lartë të të aksidentuarëve.

Përveç pagës së ulët, orarit të stërzgjatur, atyre shpeshherë iu rrezikohet edhe jeta gjatë kryerjes së punëve të ndryshme.

Sipas të dhënave zyrtare të Inspektoratit të Punës, vetëm gjatë vitit 2018,  145 punëtorë janë aksidentuar, prej të cilëve 22 kanë gjetur vdekjen në vendin e tyre të punës. Edhe në këtë vit gjatë pesë muajve të parë  kanë ndodhur mbi 30 aksidente, 6 prej të cilave kanë qenë me fatalitet.

Siguria në punë në Kosovë rregullohet me dy ligje në fuqi: Ligjin e Punës dhe me Ligjin për Sigurinë dhe Shëndetin në Punë.

Kontrata Kolektive, Akti i Brendshëm i Punëdhënësit dhe Kontrata e Punës, janë pjesë e legjislacionit dytësor përmes të cilave gjithashtu rregullohen të drejtat, detyrat dhe përgjegjësitë që rrjedhin nga marrëdhënia e punës, por të cilat gjejnë shumë pak zbatim.

Sipas legjislacionit në fuqi: Punëdhënësi është i detyruar t’i sigurojë kushtet e nevojshme në punë, me të cilat sigurohet mbrojtja e jetës dhe e shëndetit të të punësuarve. Nëse punëdhënësi dështon të përmbushë këto obligime, sipas Ligjit të Punës neni 32 dhe Ligjit për Sigurinë dhe Shëndetin në Punë neni 33, shqiptohen gjoba nga Inspektorati i Punës.

Për gjatë vitit 2018, Gjykata Themelore në Prishtinë ka zgjidhur gjashtë lëndë penale, ndërsa kanë mbetur të pazgjidhura edhe 70 lëndë tjera.

Në përgjigjen e dhënë për Telegrafin, Gjykata Themelore në Prishtinë thotë se në fillim të vitit 2018, kanë qenë 62 vepra penale të pazgjidhura ( Neni 367 Asgjësimi, dëmtimi ose heqja e pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikimi i sigurisë në vendin e punës), ndërsa gjatë vitit 2018 janë pranuar në Gjykatë edhe 14 lëndë tjera.

Në lëndët e zgjidhura Gjykata Themelore ka shqiptuar dy dënime me gjobë, tri dënime me kusht dhe asnjë dënim me burg, ndërsa një rast është zgjidhur në një mënyrë tjetër.

Nga Prokuroria Themelore në Prishtinë bëjnë të ditur se në vitin 2018 janë hetuar 21 vepra penale, kurse për vitin 2019  ende nuk janë gjeneruar të dhëna.

Për rastet e lëndimeve dhe vdekjeve të punëtorëve është deklaruar edhe Inspektorati i Punës në Kosovë, i cili është i vetmi organ në kuadër të pushtetit ekzekutiv të Republikës së Kosovës që bën monitorimin e zbatimit të legjislacionit nga fusha e marrëdhënies së punës si dhe sigurisë dhe shëndetit në punë.

“Sa i përket vdekjeve në vendin e punës, në vitin 2018 kanë ndodhur 22 vdekje në vendin e punës, në mesin e të cilave 2 vdekje janë vdekje natyrore dhe nuk kanë të bëjnë me ndonjë aksident, 4 raste të vdekjeve që lidhen me ushtrimin e punës kanë ndodhur në shtëpi private (pra, të këto raste nuk ka marrëdhënie pune), ndërsa në 2 raste të vdekurit në vend të punës kanë qenë pronar apo bashkëpronar, dhe rrjedhimisht edhe këtu nuk ka pasur relacion punëdhënës – punëtor”, thuhet në përgjigjen e Inspektoratit të Punës të dhënë për Telegrafin.

Ndërsa në periudhën 2015-2017 Inspektorati i Punës ka shqiptuar dy dënime për rastet me fatalitet. Njëri dënim është dhënë për shkak të mos sigurimit të kushteve të punës nga punëdhënësi dhe tjetri për shkak të cenimit të detyrimeve të përgjithshme  nga punëdhënësi. Kurse për dy raste tjera të vdekjeve në punë, Inspektorati i Punës nuk ka shqiptuar dënim pasi që në njërin rast nuk ka vlerësuar se është në kompetencë të tyre dhe se punëtori ka qenë pa kontratë pune.

Në rastin tjetër Inspektorati nuk ka shqiptuar dënim pasi që punëtori i cili kishte humbur jetën, ishte duke punuar vullnetarisht gjatë një dite vikendi.

I shqetësuar me trajtimin e punëtorëve në Kosovë është edhe Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovë (BSPK). Kryetari Avni Ajdni në një deklaratë të dhënë për Telegrafin tha se punëtorët në Kosovë po e humbin jetën për mospërmbushje të kushteve minimale.

“Punëtorët e humbin jetën duke mos e siguruar vendin e punës, duke mos përdorur pajiset e punës, veshmbathjet apo për një element shumë të imët, për një dërrasë që nuk e izolon vendin siç duhet, siç e kemi më të freskët rastin e të riut në Drenas. Këto raste janë shumë prekëse, sepse ka mundur të kursehet ajo jetë me një sigurim të vendit të punës dhe të mos hyjnë në vende të rrezikshme”, ka thënë Ajdini.

“Kemi objekte ku punëtorët duhet të shfrytëzojnë veshmbathjet, kapelat dhe rripat e sigurimit. Për një rrip mund të bie edhe të mbytet. Ky fakt na shqetëson sepse është trishtuese të humbët jeta për një rrip. Në këtë vit kemi 5 raste, në vitin e kaluar kanë qenë 22 raste, plus dy raste të natyrës infrakte. Dhe kjo është gjendja momentale. Jemi gjithmonë në kontakt me punëtorët, jemi duke i aftësuar punëtorët se si duhet t’i qasen vendit të punës, ku është rrezikshmëria më e lartë. Në elektromagnetikë e kemi udhëzuesin se si duhet të  qaset punëtori, të ketë pajisjet e përshtatshme ngase rrezikshmëria është shumë e lartë”, ka potencuar Ajdini.

Duke folur për rrezikun që iu kanoset punëtorëve, Ajdini përmendi edhe një rast kur punëtori ka nënçmuar rrezikun e punës dhe ka pësuar nga ai nënçmim.

“Kemi raste kur punëtori në Ferizaj është munduar ta shkyç rrymën pa mbrojtje dhe njërën pjesë të fytyrës e ka djegur. Aty është fajtor punëtori dhe jo punëdhënësi. Punëdhënësi është fajtor kur nuk e paralajmëron punëtorin për rrezikun në punë. Punëtori duhet të sigurohet nga punëdhënësi. Në Mitrovicë, punëtori ka humbur jetën për shkak se nuk i është siguruar vendi i punës”, pohoi ai.

Ajdini tha që së bashku me Inspektoratin e Punës janë duke punuar që të minimizohen rastet e vdekjeve në punë.

“Jemi duke punuar në ketë drejtim, që të ngritët vetëdija e punëtorëve më qëllim që të parandalohet rreziku për aksidente në vendin e punës”.

I pakënaqur me vendimet e Gjykatës Themelore për veprat penale në punë u shpreh edhe Isuf Azemi, kryetar i Sindikatës së Sektorit Privat të Kosovës.

“Vendimet e Gjykatës Themelore zvarriten me vite të tëra. Poashtu vendimet e marra janë qesharake. Ndërsa Inspektorati i Punës ju ka shqiptuar disa dënime kompanive të cilat kanë bërë shkelje”, tha Azemi për Telegrafin.

Në Kodin Penal të Republikës së Kosovës janë të përcaktuara dënimet për të gjitha shkeljet të cilat rezultojnë me lëndime apo vdekje në vendin e punës. Sipas nenit 367 të këtij Kodi, kushdo që dëmton ose heq pajisjet mbrojtëse duke rrezikuar jetën e punëtorëve dënohet me burgim prej 1 deri në 8 vjet, ndërsa nëse pajisjet mbrojtëse nuk janë vendosur fare ose nuk janë mirëmbajtur, personat përgjegjës dënohen prej 6 muaj deri në 5 vjet burgim.

Për zvarritjen e lëndëve të punëtoreve dhe mos zbatimin e vendimeve të Gjykatës për Telegrafin folën edhe punëtorët Besnik Beqiri dhe Armir Dobruna. Që të dy kishin pësuar lëndime në vendin e tyre të punës dhe nga ajo ditë kanë mbetur me pasoja.

Besnik Beqiri i cili ishte lënduar në vendin e tij të punës në Trepçë në vitin 2013, tha se Gjykata Supreme ka marrë vendim që ai të merr pension prej 353 euro që ngajanari 2018 deri në moshën që ligji e parasheh të del në pension, si dhe të dëmshpërblehet në shumë prej 154 mijë e 809 euro, por që ky vendim nuk është zbatuar.

“Gjykata e ka dhënë një vendim, por ai vendim nuk është zbatuar, do të duhej ta merrja pensionin 353 euro, dhe dëmshpërblim 154 mijë e 809 euro, por ato nuk i kam marrë. Sigurimi më ka dhënë vetëm 21 mijë e 194 euro në tri pjesë, e kam lajmëruar policinë që ende me ka borxh sigurimi dhe nuk më janë llogaritur ditët e punës nga viti 2013 e deri në vitin 2017. Më është dashtur të kthehem në punë për shkak se familja nuk kishte as bukë.Shkallën e invaliditetit e kam 65%.Mua po përpiqen të ma humbin rastin, sepse unë i kam pasur të gjithë gjykatësit ndërkombëtarë. Asnjë vendim nuk është zbatuar tek unë”, ka thënë ai për Telegrafin.

Beqiri tha se sa ka qenë duke punuar në Trepçë është detyruar të hyjë në vende ku është dashur të ketë kualifikim. Ai shtoi se tani dëshiron ta realizojë të drejtën e tij, pasi që ka mbetur me një dorë të këputur.

Punëtori tjetër, Armir Dobruna i cili ishte vetëm 19-vjeç kur pësoi aksident në vendin e punës, tregon se lënda e tij vazhdon të mbetet e pazgjidhur në Gjykatë.

Në një deklaratë të dhënë për Telegrafin ai tha se ka katër vjet që rasti është në Gjykatë dhe se gjatë kësaj kohe nuk ka marrë asnjë kompensim nga punëdhënësi.

“Nuk kam marrë asnjë kompensim, madje as një telefonatë të më pyesin se si jam. Në Itali jam që rreth dy vite, kam pasur tri operacione në këmbën e djathtë. Jam ende në trajtim, kam vizita deri në janar të vitit të ardhshëm. Lëndimet më të mëdha i kam në këmbën e djathtë, ecjen nuk mund ta bëj normal, por me ndihmën e patericave”.

Dobruna ishte duke punuar në ndërtimtari ditën kur kishte rënë nga lartësia prej 8 metrave dhe ai kishte thyer të dy këmbët.

Sylejman Klinaku është një nga avokatët që përfaqëson punëmarrësit të cilët janë aksidentuar në vendin e punës. Ai aktualisht përfaqëson 10 raste të tilla.

Sipas tij, rastet e aksidenteve në punë nuk janë prioritet dhe shpeshherë neglizhohen nga gjykatat.

Rastet gjyqësore të punëtorëve të cilët janë në kontest gjyqësor zgjasin nga 5 deri 8 vjet. Në gjykatat themelore një rast i tillë trajtohet 4 deri 5 vjet, ndërsa nëse apelohet, procedura mund të zgjasë dhe për 2 deri 3 vjet të tjera. Zvarritja e këtyre lëndëve behët për shkak së nuk ekziston një departament i veçantë brenda gjykatave që do të merrej vetëm me këto lëndë.

Në Kodin Penal të Republikës së Kosovës janë definuar dënimet për të gjitha shkeljet të cilat rezultojnë me lëndime apo vdekje në vendin e punës. Sipas nenit 367 të këtij Kodi, kush do që dëmton ose heq pajisjet mbrojtëse duke rrezikuar jetën e punëtorëve dënohet me burgim prej 1 deri në 8 vjet, ndërsa në se pajisjet mbrojtëse nuk janë vendosur fare ose nuk janë mirëmbajtur, personat përgjegjës dënohen prej 6 muaj deri në 5 vjet burgim. Në rastet e lëndimeve më të rënda, personi përgjegjës mund të dënohet me 1 deri në 10 vjet burgim, ndërsa nëse rasti pason në vdekjen e një apo më shumë personave përgjegjësi mund të dënohet prej 1 deri në 12 vjet burgim.

Kosova është vendi me shkallën me të  lartë të papunësisë në regjion. Sipas anketës së fuqisë punëtore të publikuar nga Agjencia e Statistikave të Kosovës për vitin 2018, shkalla e papunësisë është 29.4%.Shkalla më e lartë e papunësisë vërehet tek gratë me 30.6% kundrejt 29.1% sa është tek burrat.

Problematik tjetër sipas këtij raporti është edhe punësimi informal. Rreth 14% e të punësuarave punojnë pa kontratë pune. Kjo bën që këta punëtorë të mos gëzojnë mbrojtje ligjore, as në rastet kur pësojnë aksidente në punë, ndërsa ndaj punëdhënësve të tyre të mos iniciohen procedura ligjore për rrezikimin e jetës së punëtorëve.Telegrafi

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme