Vdekshmëria e foshnjave në Kosovë shënon rënie

Prishtinë | 27 Nën 2018 | 17:12 | Nga Ekonomia Online

Vdekshmëria e foshnjave në Kosovë është 8 promil, që nënkupton se nga 1 mijë foshnje të lindura, 8 prej tyre vdesin. Ndryshe në Klinikën e Neonatologjisë, në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, gjatë një viti lindin rreth 11 mijë foshnje.

Nga viti në vit, vdekshmëria e foshnjave në Kosovë ka shënuar rënie.

Në vitin 1999 ,vdekshmëria e foshnjave ka qenë 31 promil, pra nga 1 mijë foshnje të lindura, 31 kanë vdekur.

Kështu thonë profesionistë shëndetësorë, sipas të cilëve, në rënien e vdekshmërisë kanë ndikuar investimet në këtë fushë, qoftë në trajnime të stafit, por edhe në aparatura e barna.

Xhevdet Gojnovci, drejtor i Klinikës së Neonatologjisë, në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, thotë për Radion Evropa e Lirë, se problem mbeten foshnjat e lindura para kohe.

Megjithatë, siç thotë ai edhe te kjo kategori foshnjash është arritur të ulet vdekshmëria, ndonëse vdekjet e tyre ndodhin edhe në qendrat më të avancuara shëndetësore në mbarë botën.

“Foshnjat që trajtohen në Klinikën e Neonatologjisë, brenda Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, janë me sëmundje të ndryshme dhe patologjia që trajtohet më së shumti janë me lindje të parakohshme. Trajtimi i tyre, sidomos me peshë 1500 gramë janë problem edhe në qendra të avancuara shëndetësore, por edhe me infeksion si dhe anomalitë”, thotë Gojnovci.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme