Vdes veprimtari Gani Sylaj

Prishtinë | 04 Kor 2019 | 10:41 | Nga Ekonomia Online

Veprimtari dhe njëherësh nënkryetari i komunës së Drenasit, Gani Sylaj, ka ndërruar jetë sot në mëngjes në moshën 67 vjeçare.

Lajmin për vdekjen e tij e bëri të ditur kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci, i cili tha se kombi shqiptar nga sot e ka një atdhetar më pak.

“Sot, në mëngjes u nda nga ne fizikisht, veprimtari, atdhetari, bashkëluftëtari dhe një nga ideologët e çështjes kombëtare, Gani Sylaj. Nga sot, Drenasi dhe kombi ynë, në mesin e vet, ka një atdhetar më pak, i cili me devotshmërinë e tij të pashoqe, nga vitet 70, të shekullit të kaluar, me veprimtarinë ilegale atdhetare, filloi rrugëtimin për liri dhe çlirim”, ka shkruar Lladrovci në Facebook.

“Nga sot, radhët e armatës së shtetndërtuesve, i mungon një nga emrat më të shkëlqyer, i cili me urtësi, vizion dhe mirësi, fuqishëm i kontribuoi ndërtimit të vendit, debatit demokratik në komunën tonë dhe përhapjen e kulturës demokratike, për debat, për avancim të kulturës tonë politike. Shpreh ngushëllimet më të thella për familjen Syla, bashkëveprimtarëve të tij, bashkëluftëtarët dhe bashkëmendimtarëve anë e kënd atdheut tonë!”.

Ditë më parë aktivisti Sylaj u dekorua nga presidenti Hashim Thaçi me Medaljen Presidenciale.

“Sot e dekorova me Medalje Presidenciale veprimtarin dhe atdhetarin e shquar të Lëvizjes Kombëtare, Gani Sylajn. Ganiu ka dhënë kontribut të pandërprerë për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, që nga vitet e shtatëdhjeta të shekullit që shkoi, si mësimdhënës, drejtues i organizatave patriotike, i burgosur politik dhe zëdhënës i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në veri, gjithmonë me idealin e qartë për çlirimin e Kosovës dhe bashkimin e shqiptarëve. Edhe sot ai punon me tërë energjitë për forcimin e institucioneve të Kosovës së lirë dhe demokratike”, kishte shkruar Thaçi.

Gani Sylaj u lind me 14 janar 1952, në fshatin Kishnarekë, Komuna e Drenasit, ish Gllogoc. Shkollën fillore e ka nisur në Kishnarekë, ndërsa e ka përfunduar në Komoran. Në Prishtinë ka mbaruar Shkollën e Mesme Normale në vitin shkollor 1971/72. Në vitin 1973 regjistron degën e Filozofi-Sociologjisë në Fakultetin Filozofik, të cilin e ndërprenë në vitin 1974, kur i përkushtohet tërësisht organizimit ilegal në Grupin Revolucionar të Kosovës. Në vitin 1979 burgoset dy muaj për kundërvajtje, në Gjykatën komunale në Drenas, ish Gllogoc. Pa mbaruar këtë dënim, në Burgun e Prishtinës, dërgohet në Burgun e Shkupit, ku në vitin 1980 dënohet me 4 vjet burgim. Fillon vuajtjen e dënimit në Burgun e Idrizovës, në Maqedoni deri në shkurt të vitit 1982, kur Sigurimi jugosllav e transferon në Burgun e Prishtinës, për ta dënuar me 12 vjet burg, të cilat i mbajti në burgun e Mitrovicës dhe në Burgun Hetues të Somborit, në Vojvodinë. Nga burgu është liruar në vitin 1990.

Pas burgut, nga viti 1990 – 1994 ushtron disa funksione dhe merret me një sërë aktivitetesh: me iniciativën e kolektivit të shkollës fillore të fshatit të lindjes, zgjidhet drejtor i Shkollës Fillore. Kur u themelua Lidhja e Arsimtarëve Shqiptarë, u zgjodh kryetar për Komunën e Drenasit, ndërsa në kuadër të kryesisë së kësaj shoqatë ishte i ngarkuar edhe me detyra të tjera; në Lidhjen demokratike të Kosovës, anëtar i kryesisë së degës së Drenasit dhe delegat në kuvendin e saj; në Lëvizjen për Republikën e Kosovës, kryetar; Në Këshillin për Financim, anëtar i kryesisë së degës në Drenas dhe anëtar i komisionit të kontrollit në nivel të Këshillit. Një ndër redaktoret e Gazetës “Bashkimi” etj.

Pas shpërthimit të parë të Jasharëve, së bashku me shokët e burgut etj., merr pjesë në tërheqjen dhe strehimin e qetës së Adem Jasharit (1991).

1994 -2000 pasi i shpëton një ekspedite të policisë serbe, emigron në Zvicër. Fillimisht kryetar i nëndegës së Cyrihut e më vonë kryetar i degës së LDK-së në Zvicrës.

Bashkëpunëtor i Ministrisë së Arsimit në mërgim; Anëtar i Kryesisë së Lidhjes së Arsimtarëve dhe Pedagogëve Shqiptarë në Zvicër; kryetar i Emergjencës për Zvicër; Kryetar i degës së Lidhjes së Bashkuar Demokratike në Zvicër etj.

Prill-qershor të vitit 1999, Zëdhënës i UÇK-së dhe Zëvendëskomandant për Zonën e Veriut; anëtar i Fondit Vendlindja Thërret; 1999-2000, në Qeverinë e Përkohshme të Kosovës, Zëvendësministër i Ministrisë për Emigracion; 2000-2001 drejtor i Agjencisë së Lajmeve “Kosovapress”; 2001-2002, ndjek kursin për organizimin e partive politike në kuadër të NDI-së, (Instituti Nacional Demokratik).

Gjatë viteve 2002-2005, ishte Kryetar i degës së Partisë Demokratike të Kosovës për Drenas dhe anëtar i Këshillit Drejtues i PDK-së; Kryetar i Komunës së Drenasit; i certifikuar për pushtetin lokal në Universitetin Georgetoën në Uashington, SHBA (2004);

2006-2011. Drejtues ekzekutiv në Shoqatën e ish-të Burgosurve Politikë; 2008-2011 anëtar i Bordit të Drejtorëve të PTK-së, etj.

Nga viti 2017 ka ushtruar detyrën e nënkryetarit të Komunës së Drenasit.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme