Vela: Ftesa për Veselin, dëshmi që Specialja ka në fokus hierarkinë e UÇK-së

Prishtinë | 08 Nën 2019 | 15:55 | Nga Arlinda Sejdiu Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Gjykata Speciale, kohëve të fundit është bërë shumë aktive duke dërguar ftesa te ish-pjesëtarët e komandantët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Së fundmi një ftesë të tillë, e ka marrë kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, por edhe kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovcit.

Analisti politik, Blerim Vela, thotë për EkonomiaOnline, se ftesa për Veselin tregon qartë që Gjykata Speciale po interviston të gjithë personat kyç vendimmarrës në hierarkinë e UÇK-së.

“Duke marrë parasysh që Gjykata Speciale deri më tani sidomos javët e fundit ka ftuar shumicën e anëtarëve të Shtabit të Përgjithshëm dhe personave kyç që kanë qenë pjesë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovë ftesa e Veselit duhet parë në atë prizëm, pra është duke intervistuar të gjithë personat kyç vendimmarrës në hierarkinë e UÇK-së. Pastaj do të shihet më vonë pas përfundimit të procesit të intervistimit në bazë të akuzave që do të ngritën, do të shihen se për cilët persona janë ftuar si të dyshuar apo si dëshmitarë në rastet specifike që i trajton Gjykata”, u shpreh ai.

Vela thotë se Gjykata Speciale nuk është kundër UÇK-së, por do të merret vetëm me hetimin e personave individual për përgjegjësinë e tyre gjatë luftës.

“Duhet të kemi parasysh që Ligjin e ka miratuar Kuvendi i Kosovës faktikisht edhe Partia Demokratike e Kosovës ka votuar me shumicë në Kuvendin e Kosovës në vitin 2015 për këtë themelim të këtyre dhomave të posaçme të Gjykatës Speciale. Tani ekziston një narrativ që do të thotë paraqitet që puna e Gjykatës ka të bëjë me hetimin apo gjykimin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Por unë do të thosha që ka më tepër të bëjë me hetimin e personave individual  për përgjegjësinë e tyre individuale gjatë luftës veç nëse ka prova të tilla. Pra nuk duhet të bien në grackën ta shohim Gjykatën si të tillë si një Gjykatë e cila është kundër UÇK-së, ajo është themeluar prej institucionit më të lartë të Republikës së Kosovës, Kuvendit të Kosovës”, ka thënë Vela.

Vela ka komentuar edhe dorëheqjen e kreut të Agjencisë Inteligjencës së Kosovës (AKI), Shpend Maxhuni, për të cilin u tha se mund të jetë arsyeja ftesa e Speciales.

Ai thotë se është pak e besueshme arsyeja që kryeministri Ramush Haradinaj dha për motivin e dorëheqjes së Maxhunit.

“Është pak e vështirë të bëhet një vlerësim rreth asaj se a ka qenë arsyeja primare arsyet shëndetësore  apo arsyet siç i përmendet pak më parë. Nëse ekziston ftesa prej Gjykatës Speciale do të merret vesh shumë shpejt sepse z. Maxhuni ose do të jep deklaratën e tij në Prishtinë apo do të shkojë në Hagë, ku do ta jep deklaratën në qoftë se është objekt i hetimit ose në qoftë se konsiderohet si dëshmitar i ngjarjeve të cilat është duke i hetuar Gjykata Speciale”, theksoi ai.

Gjykata Speciale vetëm gjatë dy javëve të fundit ka dërguar dhjetëra ftesa në drejtim të ish- pjesëtarëve dhe udhëheqësve të UÇK-së.

Të ngjashme