Vëllezërit e plagosur të 23-vjeçarit që u vra mbrëmë në Klinë refuzuan të qëndrojnë në spital, flet Drejtori

Prishtinë | 29 Pri 2022 | 09:50 | Nga Ekonomia Online

Një vrasje ka ndodhur mbrëmë në Klinë, ku ka mbetur i vrarë një 23-vjeçar dhe janë plagosur dy vëllezërit e tij.

Dy të plagosurit kanë refuzuar që të shtrihen në Spitalin e Pejës, dhe mënjherë pasi kanë marrë ndihmën e parë, janë larguar për në shtëpi.

Lajmin e ka bërë të ditur Drejtori i Spitalit të Pejës, Skënder Dreshaj.

“Pacientët kanë refuzu qëndrimin në spital. Pas marrjes së ndihmës së parë, përkundër që mjeku dhe ekipi kujdestar kanë insistuar që ata të shtrihen në spital për 24 orë, ata kanë refuzuar dhe kanë shkuar në shtëpi. Lëndime kanë pas, por kanë refuzu të qëndrojnë në spital”, ka thënë Dreshaj.

Ndryshe, pesë persona janë ndaluar për 48 orë për rastin e vrasjes së 23-vjeçarit në Klinë dhe plagosjen e dy vëllezërve të tij.

Lajmin për Gazetën Express e ka konfirmuar zëdhënësi i Prokurorisë Themelore të Pejës, Shkodran Nikçi.

Ai ka thënë se sot do të bëhet kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj tyre.

“Pesë persona janë ndaluar për rastin e mbrëmshëm, për 48 orë. Gjatë ditës së sotme do të bëhet kërkesa për caktimin e masës së paraburgimit”, ka thënë Nikçi.

Ndryshe, ngjarja ka ndodhur rreth orës 20:43 minuta, atëherë edhe kur ishte njoftuar Policia se në Klinë ka pasur të shtëna armësh dhe të plagosur.

Rastin e ka konfirmuar Fadil Gashi, zëdhënës i Policisë për Rajonin e Pejës.

“Në 20:43 minuta policia është njoftuar se ka të shtëna me armë zjarri dhe dyshohet për të plagosur. Me të arritur në vend të ngjarjes, është konstatu se dy persona janë të lënduar. Janë dërguar në Qendrën e mjekësisë familjare pastaj janë dërguar në emergjencën e Pejës. Pas pak kohe, mjeku kujdestar e ka konfirmuar vdekjen e njërës viktimë”, tha Gashi.

Sipas raportimeve të mediave, i vrari dhe të plagosurit janë vëllezër mes vete. Ata raportohet se kishin dalë për iftar me familje në një restorant, në parkingun e të cilit edhe ndodhi rasti tragjik.

Këto detaje s’janë konfirmuar nga autoritetet.

Të ngjashme