Vendi me ndotjen më të lartë të ajrit synon importin e veturave të vjetra

Prishtinë | 02 Kor 2018 | 16:38 | Nga

Propozimi për heqjen e kufizimit për importin e veturave të vjetra po kundërshtohet nga ekspertë të komunikacionit, përderisa deputetët që kanë filluar iniciativën thonë se kjo është kërkesë e qytetarëve.

Gjatë stinëve të vjeshtës dhe dimrit, Kosova dhe sidomos kryeqyteti Prishtina, ishin në krye të qyteteve botërore me ndotjen më të lartë të ajrit.

Përveç termocentraleve që furnizojnë tregun më të madh në vend me energji e cila sigurohet përmes djegies së thëngjillit, veturat e vjetra në qarkullim ishin potencuar si shkaktari kryesor i kësaj ndotjeje.

Por, pavarësisht këtyre fakteve, ditë më parë deputetët e Komisionit për Zhvillim Ekonomik dhe Infrastrukturë në Kuvendin e Kosovës kanë miratuar propozimin për ndryshimin e disa neneve të Ligjit për Automjete.

Lejimi i importit të veturave paraqitet në nenin 44, në të cilin thuhet se “mjetet rrugore që importohen në Kosovë nuk mund të jenë më të vjetra se 10 vjet dhe që nuk plotësojnë standardin “euro katër”.

Mërgim Lushtaku, deputet në Kuvendin e Kosovës nga Partia Demokratike, parashtrues i kërkesës tha për Radion Evropa e Lirë, se kjo iniciativë ka ardhur pas shqetësimeve të qytetarëve, respektivisht atyre me kushte të vështira socio- ekonomike. Ai tha se as në shtetet e Bashkimit Evropian, nuk ka një kufizim të tillë.

“Në disa shtete të Bashkimit Evropian, ka kufizime me standarde të ndryshme, siç është moslejimi i veturave që ndotin ajrin, që rrezikojnë qytetarët në komunikacion. Por, gjithmonë në import standardi minimal është euro-katër dhe kontrollet e rrepta të sigurisë”, tha Lushtaku.

Ndryshimet dhe plotësimet e ligjit po kërkohen ende pa u bërë një vit nga hyrja në fuqi e Ligjit për Automjete, ku është ndaluar importi i veturave të vjetra, pasi ishte konsideruar se vjetërsia e tyre është një ndër shkaktarët kryesorë të numrit të madh të aksidenteve dhe ndotjes së ambientit.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme