Vendimi i Gjykatës që pritet ta zhysë sërish në borxhe Pallatin e Rinisë

Prishtinë | 24 Tet 2021 | 17:36 | Nga Ekonomia Online

Një vendim kontorvers i Gjykatës së Apelit mund ta zhysë sërish në borxhe në vlerë qindar mijëra euro Pallatin e Rinisë në Prishtinë në kohën kur kjo ndërmarrje besonte se kishte dalë nga borxhet milionëshe që i kishte pasur gjatë këtyre dy dekadave.

Hulumtimi ka gjetur se në dy raste gjykatat kishin refuzuar rritjen e kamatave të borxhit të ndërmarrjes publike lokale Pallati i Rinisë, përderisa në një rast krejtësisht të ngjashëm kishte lejuar që kamata të rritej nga 3.5 % në 8%.

Emisioni shfaqi se si ky vendim mund ta dëmtojë mbi 300 mijë euro këtë ndërmarrje publike.

Ilir Dugolli, kryeshef ekzekutiv i ndërmarrjes Pallatit të Rinisë e kontestoi vendimin e Gjykatës së Apelit dhe tha se ndjehet i befasuar se si është e mundur që gjykata e shkallës së dytë të nxjerrë vendime krejtësisht të kundërta me njëra-tjetrën.

“Në tri raste janë aprovuar kundërshtimet tona për rritjen e kamatës në 8% pasi për to ishte vendosur me aktgjykim të plotfuqishëm ndërsa në rastin e përmbaruesit Arben Gashi, Gjykata e Apelit ka vendosur krejtësisht ndryshe dhe ka lejuar rritjen e kamatës në 8%”, tha Dugolli.

Ai gjatë emisionit tha se ky vendim i Gjykatës së Apelit pritet ta dëmtojë ndërmarrjen mbi 300 mijë euro përderisa paralajmëroi ta atakojë vendimin.

“Ndryshimi i kamatës pritet që të na dëmtojë mbi 300 mijë euro, ne nuk do të ndalemi dhe bashkërisht me avokatin do t’i shqyrtojmë mundësitë ligjore dhe pse jo t’i drejtohemi edhe prokurorisë për mbrojtjen e ligjshmërisë”, tha kryeshefi.

Emisioni “Kallxo Pernime” ka zbuluar se Gjykata e Apelit ka vendosur krejtësisht ndryshe në një çështje me materie të njëjtë.

Në lidhje me këto vendime mediumi ka tentuar të marrë përgjigje nga Gjykata e Apelit mirëpo deri në publikimin e këtij emisioni nuk ka pranuar ndonjë përgjigje.

Emisioni shfaqi dyshimet se Gjykata e Apelit në rastin e Pallatit të Rinisë përdori standarde të dyfishta, pasi në një rast vlerësoi se kamata e borxhit e caktuar nga Gjykata Supreme nuk bën të ndryshohet ndërsa pak kohë më vonë në një çështje që ka materien e njëjtë e lejoi rritjen e kamatës, e cila ishte vendosur nga Dhoma e Posaçme e Supremes.

Të ngjashme