Veprimtari Ramadan Osmani nderohet postmortum nga LDK-ja

Solingen | 02 Nën 2016 | 12:27 | Nga

Nga një sëmundje e rëndë, ditë më parë në Solingen të Gjermanisë, u nda nga jeta bashkatdhetari, veprimtari dhe anëtari i devotshëm i LDK-së, Ramadan (Isë) Osmani.

Ramadan Osmani kishte migruar në Gjermani në vitin 1991. Ashtu si pjesa dërmuese e shqiptarëve të ndjekur dhe dëbuar nga vendet e punës, edhe z. Osmani si njohës i mirë i situatës në Kosovë dhe i personaliteteve me peshë si President Rugova, posa erdhi në Gjermani u interesua të inkuadrohet në aktivitete për të kontribuar për të mirën e vendit.

Ramadan Osmani gjithherë iu përgjigj obligimeve ndaj strukturave institucionale të dala nga Kushtetuta e Kaçanikut. Ishte shumë i interesuar për bashkimin e faktorëve organizativë, sidomos në mërgatë, të cilës i përkiste edhe vetë. Ishte edhe inicues i takimeve për zgjedhjen e rrugëve të bashkëpunimit, bashkërenditjes të aktiviteteve në Gjermani.

Më 30.10.2016, kryesia e Nëndegës së LDK-së për NordRhein Westfalen në Gjermani bëri një vizitë familjes Osmani për ngushëllime. Ishte i madh numri i bashkatdhetarëve që ishin prezentë aty. Kjo mes tjerash dëshmon se Ramadan Osmani ishte person i dashur dhe i respektuar nga të gjithë.

Osmani në zgjedhjet e fundit nga kjo nëndegë ishte zgjedhur delegat në Degën e LDK-së për Gjermani, dhe ishte edhe pjesëmarrës edhe në Kuvendin e Degës.

Krahas ndihmave të tjera që dhuroi për të mirën e shqiptarëve, Ramadani ndihmoi edhe aktivitetet e LDK-së me lokalin hotelier që e kishte, duke mundësuar mbajtjen e shumë takimeve aty.

Për kontributin e madh që ka dhënë për çështjen kombëtare, LDK-ja e nderoi z. Osmani me mirënjohje pas vdekjes.

Mirënjohjen e pranoi i biri Driton Osmani, në prani të vëllezërve, familjarëve dhe shumë bashkëkombësve që kishin ardhur për ngushëllime nga e gjithë Gjermania dhe shtete të tjera.

Të pranishëm ishin pothuaj e gjithë Kryesia e Nëndegës dhe shumë veprimtarë, si Qazim Bajgoraliu, Abaz Imeri, Bahtir Avdiu, Enver Musa, Ilir Makolli, Muharrem Xhafolli, Hilmi Gashi dhe shumë të tjerë.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme