Vërshimet e mundshme, kërkohet që institucionet mos të zihen në befasi

Prishtinë | 06 Dhj 2021 | 12:58 | Nga Ekonomia Online

Është paralajmëruar nga Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës që kjo javë do të shoqërohet me reshje shiu.

Madje, në disa fshatra e lagje komunash, veçse kanë filluar vërshimet.

Me këtë rast, Tahir Ahmeti, njohës i çështjeve të emergjencave dhe Drejtor Ekzekutiv i Qendrës Kërkimore për Politika të Sigurisë (SPRC), ka thënë se këto vërshime nuk duhet t’i zënë në befasi institucionet përgjegjëse për situatat emergjente.

Ahmeti ka shtuar se duhen marrë masat e nevojshme parandaluese, në mënyrë që dëmet nga vërshimet të jenë sa me të vogla.

“Tani kur jemi në sezonën e reshjeve më të theksuara, dhe kur kemi paralajmërime nga Instituti Hidrometerologjik i Kosovës, për mundësinë e vërshimeve të shpejta në pjesë të caktuara të vendit, institucionet emergjente, si ato qendrore ashtu edhe ato lokale nuk duhet të “zihen në befasi”. Varësisht prej përgjegjësive që kanë, këto institucione duhet që me kohë të marrin masat e duhura preventive, në mënyrë që dëmet e mundshme të jenë sa më të vogla”, ka thënë Ahmeti.

Ai gjithashtu ka thënë se siguria e qytetarëve dhe ruajtja e pronave të tyre, duhet të jetë primare.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme