“Vërshohet” Fakulteti i Filologjisë, ndërpritet energjia elektrike, studentëve u pamundësohet aplikimi

Prishtinë | 10 Kor 2019 | 17:02 | Nga Nexhmie Hyseni Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Reshjet e pandërprera të shiut kanë shkaktuar shumë dëme në Fakultetin e Filologjisë në Universitetin e Prishtinës, raporton Ekonomia Online.

Shiu ka shkatërruar sallat, zyrat dhe pajisjet në këtë Fakultet.

Të gjitha këto dëme janë shkaktuar nga pakujdesia e kompanisë kontraktuese për renovimin e këtij Fakulteti, e cila e ka hequr kulmin dhe ka lënë objektin e zbuluar.

Dekani i FSHMN-së, Tahir Arbneshi,  ka thënë për Ekonomia Online se gjatë ditës janë detyruar që të ndërpresin energjinë elektrike gjë që u ka pamundësuar studentëve që të aplikojnë në konkursin për pranim.

Ai po shpreson se deri nesër gjendja do t’i kthehet normalitetit.

“Shiu ka filluar të depërtoj qysh më herët, ne kemi njoftuar organet kompetente mbikëqyrëse dhe punëkryesin, ata  kanë filluar t’i marrin masat e duhura po jo ne mënyrë për të evituar problemin. Është e pamundur te japim statistika, por dëmet janë të konsiderueshme, është dashur të ndërpresim rrymën dhe s’kemi mundur me pranuar aplikacione për studentë. Ne ose do ta shtyjmë ose do ta bëjmë një zgjidhje alternative të mos mbesin studentët pa aplikuar. Kemi mbështetjen e rektoratit,brenda ditës do të zgjidhet besoj do të jemi në kushte normale”, tha ai .

Por, ndryshe mendon studenti i Filologjisë, Blerton Gashi.

 Ai thotë se nuk është ndërmarrë asgjë dhe gjendja është shumë e rëndë.

“Në fakt ligjërata s’kemi pasë, por kam qenë në bibliotekë dhe më ra me ardh shkallëve e kjo pjesë lartë ku pikë, unë u bëra qull. Kjo është shumë keq, bile në katin e tretë ecë edhe uji. Askush s’ka ndërmarrë asgjë, prej orës 12:00  është kjo gjendje”, tha ai për Ekonomia Online.

Edhe profesori universitar në Degën e Gazetarisë në Fakultetin Filologjik, Milazim Krasniqi, përmes një statusi në rrjetin social facebook, ka thënë se gjendje e krijuar pas reshjeve në këtë Fakultet është tmerruese.

Ai thotë se përgjegjësi nuk po jep askush për gjendjen e trishtë.

“Pamje të trishtueshme në Fakultetin e Filologjisë dhe FShMN: shiu po shkatërron sallat, zyrat, pajisjet. Tere ditën asnjë reagim nga firma që e ka hequr kulmin dhe e ka lenë objektin zbuluar. Asnjë reagim as nga rektorati(zyra qe shihet është e njërit nga prorektorët!) Asnjë reagim nga MASHT. Çka do të thotë krejt kjo heshtje? Ne sot patëm gëzimin e diplomimit te studenteve, te cilin na e lëndon kjo gjendje e trishtueshme e fakultetit dhe kjo indiference e institucioneve. Thjesht e sheh njeriu me sy mjerimin dhe nuk arrin ta besojë deri ku ka shkuar degradimi në këtë vend”, ka shkruar Kransiqi.

Të ngjashme