Veseli dhe Gashi përurojnë fushën sportive në Kaçanik

Prishtinë | 16 Pri 2019 | 13:49 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli i shoqëruar nga ministri Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi dhe kryetari i Kaçanikut Besim Ilazi, ka përuruar sot fushën e futbollit në këtë komunë si dhe ka parë nga afër punimet në palestrën e sporteve, projekte të cilat kapin vlerën mbi 1 milionë euro.

Kryeparlamentari Veseli ka përgëzuar ministrin e Kulturës, Kujtim Gashi për realizimin e këtyre projekteve, si dhe kryetarin e Komunës së Kaçanikut për punën transparente.

“Rinisë, urime kjo fushë e sportit. Sot jam midis dy bartësve të përgjegjësive institucionale, të cilët janë shembull për të tjerët në institucionet e Kosovës. Janë njerëz që punojnë me transparencë, punojnë për qytetarët dhe janë të pakorruptuar”.

“Ky është imazhi që duhet t’i japim Kosovës. Kosova është vend i shpresës, i rinisë. Kosova është vend i besës dhe i besimit. Nuk do të lejojmë që rinia jonë të shkojë. Do të investojmë në rini. Kjo është vetëm një pjesë e investimit në këtë drejtim. Do të investohet edhe më shumë, edhe në fusha të tjera, në mënyrë që të krijojmë perspektivë, të ketë vende pune dhe të rinjtë të mos ikin në vende të tjera”.

“Kaçaniku ka mundësi të jashtëzakonshme të zhvillimit. Ne do të përfundojmë këto investime, që arrijnë shifrën në 1 milion e 200 mijë euro. Përveç kësaj fushe, është edhe pallati i sportit i cili po qëndron këtu prej 10 vjetësh dhe do të përfundojë brenda qershorit. Ky është edhe zotimi i ministrit të Kulturës”, tha Kryeparlamentari Veseli.

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi tha se rinia e kësaj komune ka merituar terrene të mira sportive dhe tani falë bashkëpunimit me kryetarin Besim Ilazi si dhe mbështetjen e kryeparlamentarit Kadri Veseli, këto projekte po realizohen.

“Sot kemi nënshkruar 3 memorandume bashkëpunimi për ndërtimin e fazës së dytë të stadiumit të qytetit të Kaçanikut, pastaj për dy terrene sportive si dhe ajo që është shumë e rëndësishme, një objekt të qendrës rinore për gjithë të rinjtë e komunës së Kaçanikut duke e pasë parasysh që ka një rini shumë të shëndoshë dhe të talentuar të cilës po i krijojmë mundësi dhe hapësira për të zhvillu aktivitete”.

“…ajo që është edhe më me rëndësi ne jemi këtu bashkë me kryetarin, për ta përmbyllë edhe projektin e palestrës, një objekt që ka filluar shumë vite më parë por për të cilin jemi zotu bashkë me kryetarin e komunës që këtë vit ta përmbyllim në mënyrë që sportistëve dhe të gjitha llojeve të sporteve ti’a japim një prej objekteve më të bukura në Kosovë”.

“Gjithë ky investim që do ndodhë gjatë vitit 2019 e kalon vlerën e 1 milion euro që është një prej zotimeve të cilat edhe kryetari Veseli e ka dhënë edhe gjatë fushatës, prandaj është një përmbushje e premtimeve dhe obligimeve tona edhe partiake por edhe institucionale”.

Nga ana e tij, kryetari i Kaçanikut, Besim Ilazi, falënderoi kryeparlamentarin Kadri Veseli për mbështetjen e vazhdueshme në realizimin e projekteve në këtë komunë.​

Të ngjashme