Veseli e Haradinaj nderojnë dëshmorët Afrim Zhitia e Fahri Fazliu

Prishtinë | 02 Nën 2017 | 14:21 | Nga Valbona Bytyqi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kryetari i Kuvendit Kadri Veseli dhe kryeministri Ramush Haradinaj ka bërë homazhe në vendin ku janë vrarë 28 vjet më parë Afrim Zhitia dhe Fahri Fazliu.

Kryetari i Kuvendit Kadri Veseli, tha se do të jenë gjithmonë krenar për heronjtë, por edhe për prindërit që dhanë jetën për liri, raporton Ekonomia Online.

“Kanë kaluar 28 vjet nga rënia e Afrimit dhe Fahriut, por dhembja vazhdon të jetë e freskët. Jemi krenarë të gjithë ne që kemi pasur rastin t’i njohim personalisht. Ata ishin pushkët e para të lirisë, paraardhësit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Kombi shqiptar do të jetë përherë krenarë me ta, ndërsa gjeneratat e reja do të përulen me nderim para veprës së tyre. Po ashtu, jemi krenarë edhe me familjet e tyre dhe qëndresën që ato treguan ndër vite. Nuk do të harrojmë asnjëherë se sa e shtrenjtë ishte liria jonë”.

Ndërsa Kryeministri, Ramush Haradinaj, tha se do të ketë nderim të përhershëm për heronjtë e rënë.

“Është një nderim i përjetshëm për heronjtë Fahri Fazliu dhe Afrim Zhitia, por poashtu nderim edhe për të gjallët, për prindërit, bashkëluftëtarët që na e kujton besnikërinë në rrugën e lirisë, për të cilën janë flijuar më të mirët tanë”.

28 vite më parë në Lagjen “Bregu i Diellit” në Prishtinë, ranë heroikisht  Afrim Zhitia dhe Fahri Fazliu, pas një rezistence disa orësh ndaj një rrethimi të hekurt të policisë dhe ushtrisë serbo-jugosllave.

Për të nderuar heronjtë, sot u bënë homazhe edhe në fshatin Llugë të Besianës te obilesku i heroit Afrim Zhitia dhe në fshatin Llaushë të kësaj komune, te varri i heroit të kombit Fahri Fazliu.

 

 

 

Të ngjashme