Veseli: Gëzuar 1 majin, uroj që punëtorët të kthehen sa më shpejt në punë

Prishtinë | 01 Maj 2020 | 09:57 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i PDK-së, Kadri Veseli, ka thënë se 1 maji i këtij viti, Kosovën e ka gjetur të izoluar si pasojë e pandemisë COVID-19.

Veseli thotë se pamja e rrugëve dhe shesheve të shkreta të Prishtinës në këtë periudhë, është me të vërtetë e trishtuar.

Statusi i plotë i tij:

1 maji i këtij viti na ka gjetur të izoluar si pasojë e pandemisë dhe në pamundësi për ta festuar masivisht në ambiente publike, sikurse është traditë në Kosovë. Pamja e rrugëve dhe shesheve të shkreta të Prishtinës në këtë periudhë, është me të vërtetë e trishtuar. Po ashtu gjendja e dhjetëra mijëra punëtorëve të sektorit privat në këtë periudhë pandemie është shumë e vështirë.

Është për të ardhur keq që nuk mund të shijohen siç duhet këto ditë të pranverës por njëherazi është për t’u vlerësuar shkalla e lartë e durimit dhe përgjegjësisë që shoqëria kosovare po tregon. Merita më e madhe për nivelin relativisht të ulët të përhapjes së koronavirusit në Kosovë, iu takon qytetarëve tanë të cilët kanë dëshmuar ndërgjegjësim, përgjegjësisë dhe vetë-disiplimin të lavdërueshëm.

Qytetarët e kanë bërë pjesën që iu takon, duke u përkujdesur për higjenën si dhe duke qëndruar në shtëpi për të shmangur kontaktet sociale. Tani është përgjegjësia e institucioneve shtetërore, që të shtojnë testimet për t’i dhënë më shpejt fund karantinimit e për ta rikthyer sa më parë normalitetin në vend. Gëzuar 1 majin me besimin që së bashku do ia dalim ta tejkalojmë këtë sfidë dhe me urimin që gjithë punëtorët të kthehen sa më shpejt në punë!

Të ngjashme