Veseli: Ju tregoj pse ka luftuar UÇK-ja

Prishtinë | 27 Tet 2016 | 12:17 | Nga Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli ka mbajtur  fjalim në Parlament, derisa ka folur për rastin e dënimit të vëllezërve Demaku dhe luftëtarëve tjerë të UÇK-së.

Ai ka evokuar kujtime personale nga një ngjarje që kishte ndodhur në malet Kosmaq, gjatë periudhës së luftës.

“Kur mijëra trupa të Ushtrisë Serbe kishin mësyrë territorin e Kosovës, njësi militare, paramilitare, policë serbë, dëbonin, vrisnin dhe dhunonin shqiptarët e Kosovës, në një pjesë të saj, përkatësisht në Drenicë, Brigada elite e UÇK-së 111, zhvillonte luftime për jetë vdekje në grykat e maleve, aty ku qëndronte popullata civile dhe qindra të plagosur, ushtarë dhe civilë”, kujton Veseli.

Ai ka shtuar se vuajtjet ishin të mëdha, dhimbja ishte e rëndë, por edhe vendosmëria për qëndresë ishte e pathyer. Drenica sipas tij nuk po dorëzohej.

“Në mbrëmje të asaj dite, të gjendur në një perimetër rrethimi të hekurt, nga pjesa e malit Kosmaq, u bashkuam me bashkëluftëtarët tjerë në fshatin Bajicë. Aty morëm bilancin tragjik të asaj dite të rëndë luftimesh: tre të vrarë nga luftëtarët e Brigadës 111: Ymer Shala, Bedri Demaku dhe Xhevat Demaku”, ka thënë Veseli.

Duke folur për atë kohë, Veseli ka pohuar se çdo ditë, deri në përfundimin e luftës, përballeshin me lajme te tilla të rënda. E gjithë Kosova po paguante një çmim të madh për lirinë e saj.

“E veçanta e këtij rrëfimi dhe asaj dite është më domethënëse për sot, jo vetëm për ndërlidhjen e kësaj ngjarje me rastin e fundit, por me një tablo që do të mundohem ta përshkruaj, ashtu si unë e pashë dhe e përjetova atë mesnatë, para mëngjesit të ri, që do të ishte po aq i rëndë me luftime”, ka thënë Veseli.

Veseli ka vazhduar rrëfimin e tij duke shtuar se bashkë ishin nisur drejt Obrisë për të varrosur tre dëshmorët e rënë atë ditë të 7 prillit.. “Arritëm në Obri pas mesnate dhe u futëm të heshtur dhe zemërthyer në një dhomë të mbetur, në një shtëpi gjysmë të rrënuar. Brenda dhomës qëndronin tre trupa të shtrirë, të pajetë. Tre djem të rinj me uniforma të tyre dhe plagë e trup të gjakosur ; më shumë se dhjetë ushtarë të njësisë special të Brigadës 111 qëndronin rreth trupave të tyre, të mërzitur dhe pa fjalë. Ne dhomë ishin dhe prindërit e njërit prej këtyre heronjve të rënë”, ka rrëfyer Veseli.

Ai në një moment ka cituar edhe Nënën e Xhevat Demakut, Hero i rënë në luftë për liri, nëna e Zeqirit, Jahirit, Fadilit dhe Nexhat Demakut. “Djemtë e mi, boni gajret, banu te fortë: kur hasmi, të tjerët vijnë dhe vdesin në tokën e huaj, pse djemtë e mij mos me vdekë për vendin e tyre. Hallall i kofshin krejt djemtë e mi kësaj toke”, ka cituar Veseli nënën Demaku.

Veseli ka vazhduar rrëfimin e tij emocional duke treguar se si pestë djemtë e familjes Demaku ishin dal në mbrojtje të atdheut.

“Kishte edhe një vajzë të vetme; edhe atë, së bashku me vajzën e saj, ia vranë ushtria serbe, ndërsa vajzën tjetër që mbijetoj mezi arritëm ta tërhiqnim ato ditë nga zonat e luftës. E mora vetë duke e dërguar deri ne kufirin e Maqedonisë, e nga andej në Shqipëri. E shpëtuam nga fati i nënës dhe motrës se vogël, por u vonuam të ia shpëtonim dorën”, ka treguar Veseli.

Ai ka treguar se sot, ajo jeton ne Francë, me kujtimin për nënën, motrën dhe dajën e rënë per liri, jeton pa dorën e saj, të amputuar në kohë lufte si pasojë e gangrenës së shkaktuar nga plagët e plumbave të armikut.

“Sot kjo Nënë e madhe e vëllezërve Demaku, padrejtësisht, duhet të durojë një dhimbje tjetër: edhe katër djemtë e tjerë të saj, vëllezërit e Xhevatit dëshmorë, katër luftëtarë të lirisë, bashkë me komandantin trim të sa e sa betejave Sylejman Selimin, Hysni Thaqin dhe Bashkim Demiqin me tre vëllezër të tjerë, njeri nga ata nuk ishte asnjëherë gjatë luftës në Kosove, po privohen nga liria, përmes një procesi gjyqësor me shumë pikëpyetje serioze”, ka thënë Veseli.

Të ngjashme