Veseli: Mos të mbyllen shkollat në Kamenicë, të stimulohen banorët që jetojnë në brezin kufitar me Serbinë

Kamenicë | 09 Tet 2020 | 10:58 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, i ka bërë thirrje institucioneve qendrore e lokale që të reagojnë shpejt dhe të ndalojnë mbylljen e shkollave në vendbanimet e brezit kufitar Kosovë-Serbi në Komunën ë Kamenicës.

Lideri i PDK-së tha se shteti i Kosovës duhet të ndihmoj e të krijoj stimulime për banorët që të vazhdojnë të jetojnë në pronat e tyre në brezin kufitar, e jo të ju vështirësohet jetesa përmes mbylljes së shkollave.

Veseli ka vizituar objektin e ri të shkollës “Hasan Prishtina”, në Busavatë të Kamenicës nga ku e ka ftuar kryetarit e kësaj komune, Qëndron Kastratit, që të reflektoj për hapjen e kësaj shkolle dhe t’u jepet mundësi nxënësve që të fillojnë mësimin.

“Unë nga kjo shkollë e cila ka një emër simbolik “Hasan Prishtina”, i cili në fakt e ka shkri pasurinë e vet, ka quar djemtë e vajzat  e Kosovës në shkollat e para shqipe të asaj kohe në normalen e Elbasanit, kisha ftuar edhe kryetarin e Komunës së Kamenicës, që mos ta merr si mesazh as të luftës politike, as inati me drejtorin, as me mësuesit, as me Busavatën dhe fshatrat tjera por të reflektojë në mënyrën që t’u jepet mundësi kësaj klase, ku do ta kemi klasën e parashkollorëve, të vijnë fëmijët këtu, le të vijnë nxënësit në Busavatë, për arsye se, tek e fundit ligji bëhet veç për njerëz, për të mirën e qytetarëve”.

Veseli ka bërë thirrje që të kthehen nxënësit sa më parë në bankat e tyre, sepse është e domosdoshme, pasi që, shkolla ende është e re.

“Duhet me u kthyer nxënësit sa më shpejt këtu, me e gjet një gjuhë të arsyeshme të komunikimit me prindërit, me fëmijët, me stafin arsimor. Sa më shpejt të i rikthehen normalitetit, është mirë për kryetarin, është mirë për Ministrinë e Arsimit, dhe është e domosdoshme, sepse kjo shkollë vetëm sa është ndërtuar, ende është era e gëlqeres”.

Veseli ka thënë se çdo ditë po ka provokime nga ana e xhandarmërisë serbe që po futen në brez kufitar, dhe kjo duhet të shërbej si mesazh që fëmijët mos të dekurajohen, por të lejohen të vazhdojnë

“Jam për një mesazh, këtu në Busavatë, në Kamenicë, në këtë zonë kufitare ku çdo ditë po kemi provokime nga Serbia, futja e xhandarmerisë serbe, në territorin e Republikës së Kosovës, që fëmijët mos të dekurajohen në vazhdimin e shkollave të tyre. Vendet ku janë pika kufitare, të inkurajohen fort prindërit, dhe fëmijët të jetojnë në ato pjesë për arsye se janë interes strategjik i Republikës së Kosovës që të qëndrojnë ata fëmijë, ato familje, pikërisht në vendet e tyre siç është këtu në Busavatë, në Kamenicë dhe gjithë hapësirat që janë kufitare, po flas edhe në kufi”, tha ai.

Ndërsa, drejtori i shkollës “Hasan Prishtina”, Abedin Maliqi, ka kërkuar normalizimin e gjendjes në shkollën e Busavatës dhe gjitha shkollave në Kamenicë.

Maliqi me lot në sy tha se edhe pse Ministria e Arsimit ja ka dhënë qelësat e shkollës së re, kryetari i Komunës së Kamenicës ka reaguar duke i dalë kundër.

Ai tha se kur kishte filluar ndërtimi i kësaj shkolle, për të kishte qenë gëzimi më i madhi.

“Kërkesa jonë është shumë e thjeshtë, vetëm normalizimi i gjendjes në shkolla. Siç po e shihni ne tash kemi shkollën e re, dhe kjo është për çudi, dhe nuk besoj të ketë ndodhë diku në botë një vendim i tillë ku Ministria e Arsimit investon, për të ndërtuar objektin e shkollës, të cilën me 15 gusht mi kanë dorëzuar çelësat mua, për kundër faktit që Qëndron Kastrati ka reaguar pse jam përgjegjës, unë se di kush ka mundur me kanë ma përgjegjës. Në jetën time gëzim më të madh as kur më kanë lindë fëmija nuk kam pas se sa atë ditë kur është nisë themeli i kësaj shkolle”, ka thënë Maliqi.

Të ngjashme