Veseli para policëve të rinj: E keni mbështetjen time të plotë në luftën kundër korrupsionit

Prishtinë | 21 Gus 2019 | 15:42 | Nga Ekonomia Online

Lideri i PDK-së, Kadri Veseli, ka vizituar sot Akademinë e Policisë në Vushtrri dhe është zotuar se do të bëj çmos që të rinjtë të qëndrojnë në Kosovë dhe të ndërtojnë karrierë e të ardhme këtu.

Veseli ka thënë se ka besim të madh tek Policia e Kosovës, pjesëtarëve të së cilës u janë bërë pagat më të lartat në rajon dhe u janë rritur kapacitetet për ta luftuar krimin dhe korrupsionin.

“Plot shpresë dhe besim pas takimit me kadetët e rinj të policisë, të cilët kanë vendosur të mos emigrojnë, por të shërbejnë në vendosjen e rendit dhe ligjit. Në Akademinë e Policisë në Vushtrri u zotova se do të bëj çmos që të rinjtë të qëndrojnë në Kosovë dhe të ndërtojnë karrierë e të ardhme këtu. Policia jonë është një model suksesi në rajon dhe dëshmi se me ndihmën e partnerëve ndërkombëtarë, Kosova mund të ec shumë më shpejt përpara. Shpreh mirënjohjen time për çdo polic të Kosovës, për punën e vështirë që bëjnë në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Unë kam besim të madh tek Policia e Kosovës, pjesëtarëve të së cilës ua kemi bërë pagat më të lartat në rajon dhe ua kemi rritur kapacitetet për ta luftuar krimin dhe korrupsionin. Unë kam besim të madh tek rinia e Kosovës, prandaj edhe kam emëruar ministra të rinj. Jam i sigurt se duke u dhënë atyre më shumë mundësi dhe më shumë hapësirë, ne do të ndërtojmë një të ardhme më të mirë në vendin tonë”, ka shkruar Veseli.

Të ngjashme