Veseli: Shumë shpejt bëhet Ushtria

Prishtinë | 23 Shk 2017 | 11:54 | Nga Jehona Zhuniqi

Kryetari i Kuvendit Kadri Veseli tha se FSK-ja është bërë gati për t’i marrë përgjegjësitë që i takojnë. Ai tha se shumë shpejt djemtë dhe vajzat kosovare do të bartin emblemën e ushtrisë dhe se “nuk ka forcë që e ndalon Kosovën në fuqizimin e saj euroatlantik”.

Këto komente Veseli i bëri në Akademinë Përkujtimore për 72-vjetorin e rënies së Shaban Polluzhës dhe Mehmet Gradicës, me ç’rast tha se për shumë vjet këta heronj nuk kanë guxuar të përmenden nga regjimi serb, raproton Ekonomia Online.

“Tani 72 vjet më pas Kosova është më ndryshe, është shtet i lirë dhe sovran. Ne sot jemi pjesë e partneritetit të SHBA. FSK sot është bërë gati të marr primatin e saj. Shumë shpejt djemtë dhe vajzat do të bartin emblemën e ushtrisë”, tha ai.

“Për 45 vjet këta heronj nga regjimi serb janë quajtur mbeturina të regjimit fashist dhe nazist, por regjimi serb kishte vendosur t’i quante kështu”, tha ai.

Veseli theksoi se siguria sot është sinonim i një ekonomie të zhvilluar, shoqëri të shanseve të barabarta për të gjithë qytetarët.
“Nevojitet një përkushtim i madh dhe një përgjegjësi për ata që kanë dhënë jetën, gjakun dhe gjymtyrët e tyre”, tha ai.

Të ngjashme