Veseli thotë se nuk do të preket asnjë milimetër e territorit të Kosovës

Prishtinë | 08 Qer 2019 | 17:34 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, njëherësh i pari i PDK-së, Kadri Veseli ka theksuar dhe një herë se asnjë milimetër e territorit të shtetit të Kosovës nuk do të preket dhe se nuk do të lejohet që të ketë një pushtet të tretë Republika Serbe në Kosovë.

Duke përmendur dialogun me Serbinë, Veseli tha se do të angazhohen me politika vizionare që të arrijnë një paqe të qëndrueshme me shtetin fqinj.

“ Ne duhet të gjithë të angazhohemi me politika të cilat janë vizionare që të arrijmë paqe të qëndrueshme në shtetin tonë të pavarur dhe sovran. Në shtetin tonë të pacenuar, qoftë në territor, qoftë institucional. Kjo i bie që asnjë milimetër e shtetit të Kosovës mos të preket, për aq sa institucionet e Republikës së Kosovës nuk do të lejojnë që të ketë një pushtet të tret, pushtet ekzekutiv, Republika Serbe në Republikën tonë.

Marrëveshje paqësore, shtetet tona të jetojnë në paqe, për aq sa të drejtat e qytetarëve tanë, Luginën e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit të respektohen ashtu siç ne i respektojmë serbët në Kosovë do t’i ruajmë këto të drejta, por më shumë nuk do të japim. Ky është qëndrimi i PDK-së, ky është dhe qëndrimi i gjithë qytetarëve të Kosovës”, tha ai.

Kryetari i PDK-së, gjithashtu u shpreh i vendosur se Serbia do të përgjigjet për gjenocidin dhe krimet që i kanë bërë gjatë luftës së fundit në Kosovë, por në të njëjtën kohë, sipas tij, duhet të mendohen dhe për një të ardhme më të mirë.

“Serbia po, duhet me u përgjigj një për një për gjenocidin serb që e ka kryer në Kosovë. Serbia, po duhet me u përgjigj për ato krime që i ka kryer në Kosovë për të ditur që më kurrë nuk ka me kthyer në Kosovë. Por, të njëjtën kohë duhet të mendohet për një të ardhme më të mirë”, shtoi Veseli.

Këto komente, kryeparlamentari i bëri gjatë një takimi me strukturat e rinisë në Skenderaj, ku iu premtoi atyre se nëse e kanë përkrahjen në dhjetë vitet e ardhshme nuk do të ketë të papunë dhe Kosova do të krahasohet me çdo vend evropian.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme