Veseli viziton familjen e 5 vëllezërve të vrarë nga forcat serbe

Prishtinë | 30 Pri 2019 | 16:46 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, njëherësh lider i PDK-së, Kadri Veseli, ka vizituar sot familjen Dvorani në Terstenik të Drenasit në 20 vjetorin e vrasjes së 5 djemve të saj nga forcat serbe.

Kryeparlamentari Veseli u prit nga familjarët e dëshmorëve dhe martirëve të UÇK-së, të cilët e falënderuan për vizitën dhe kujdesin.

Vëllai i 5 dëshmorëve e martirëve të vrarë nga forcat serbe, Hajrizi, i tregoi kryetarit se dy djemt e vegjël të tij mbajnë emrat e dy prej 5 vëllezërve të vrarë.

Kryeparlamentari Veseli ka shkruar në faqen e tij në Facebook se dy djelmoshat e familjes Dvorani do të mbajnë me krenari emrat e axhallarëve të tyre dëshmorë dhe do të përtrijnë familjen Dvorani.

“Në 20 vjetorin e rënies së pesë vëllezërve dëshmorë të familjes Dvorani, sot vizitova familjen e tyre në Tërstenik të Drenasit. Dëshmorët Avni, Hysni, Haki, Veli dhe Lumni Dvorani dhanë gjithçka dhe jetën e tyre për lirinë e Kosovës. Vogëlushat Hysniu dhe Avniu janë fëmijët e Hajrizit – vëllait të vetëm të dëshmorëve Dvorani. Ata mbajnë me krenari emrat e axhallarëve të tyre dëshmorë dhe do të përtrijnë familjen Dvorani”, ka shkruar Veseli.

Të ngjashme