Vetëm 18 për qind e femrave kosovare kanë pronë

Prishtinë | 10 Shk 2017 | 12:01 | Nga Albulena Misini Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Në Kosovë ekziston një pabarazi e madhe në trashëgimin e pronës mes meshkujve dhe femrave. Kështu u tha me rastin e prezantimit të Strategjisë Kombëtare për të drejtat e pronës.

Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi në fjalën e tij tha se është shumë e rëndësishme që të fuqizohet sistemi i të drejtave pronësore pasi dallimi dhe mosbarazia është shumë e madhe.

“Më pak se 18 për qind të femrave kanë pronë në Kosovë, kurse më pak se katër për qind, ose 3.8 për qind femrat trashëgojnë pasuri”, ka treguar shifrat alarmante Kuçi, raporton Ekonomia Online.

“Duhet që femrat të kenë të drejta të barabarta në pronësi, që ato të jenë trashëgimtare të barabarta dhe jo të lejohet që ato të heqin dorë, në njëfarë mënyre, nga pronësia. Qeveria do ta mbështesë fuqishëm Strategjinë Kombëtare për të Drejta Pronësore. Ndaj kërkoj angazhimin e të gjithëve në implementin e kësaj strategjie”, ka thënë Kuçi.

Më tej, zëvendëskryeministri Kuçi, tha se nuk ka zhvillim ekonomik të një vendi nëse nuk definohen qartë të drejtat pronësore në atë vend. “E para, ka të bëjë për çështje të vendit, që njerëzit duhet të kenë pronën e vet, të administrojnë atë, ta zhvillojnë dhe, e dyta, edhe investitorët e huaj duhet ta dinë  qartë që investimin ta bëjnë në një pronë të definuar qartë në kuptimin juridik”, theksoi Kuçi.

Për hartimin e kësaj strategjie kombëtare është njoftuar se ka kontribuuar shumë edhe misioni i USAID-it dhe personalisht ambasadori amerikan, Greg Delawie.

Ambasadori Delawie tha se kjo strategji sa është ambicioze është edhe thelbësore.

“Ndjehem krenar se sa fuqishëm keni punuar për të ardhur në këtë çast në ndërtimin e vetëdijes në momentumin e konsensusit të domosdoshëm për të gjetur zgjidhjen e një vendi nacional”, tha ai.

Më tej ai theksoi se vetëm 4 për qind e grave trashëgojnë pronë, duke shtuar se të drejtat pronësore janë edhe të drejta të njeriut.

Hoxha: Garantimi i të drejtës në pronë është prioritet i Ministrisë së Drejtësisë

Në fjalën e saj dhe prezantimin e strategjisë kombëtare ministrja e Drejtësisë, Dhurata Hoxha, pohoi se strategjia ka pesë shtylla kryesore.

“Shtylla e parë ka të bëjë me përmirësimin e boshllëkut të madh në kornizën ligjore; e dyta merret me sfidat që pengojnë legalizimin e të drejtave pronësore; kurse shtylla e tretë dhe e katërt analizojnë çështjet specifike dhe sfidat me të cilat ballafaqohen gratë, por edhe komunitetet jo shumicë në Kosovë; dhe shtylla e fundit trajton kufizimet të cilat mund ti bëjnë në planifikimin hapësinor në të drejtat e siguruara”, ka thënë Hoxha.

Në këtë drejtim, theksoi Ministrja, duhet hequr kufizimet të cilat pengojnë realizimin e plotë të të drejtave të njeriut.

“Mungesa e implementimit efikas të dispozitave ligjore që kanë të bëjnë me të drejtat mbi pronën e paluajtshme, shkalla e gjerë e informalitetit në fushën e të drejtave  pronësore, zbatimi jo-konsistent  i të drejtave pronësore,  kanë ndikuar në dobësimin e sistemit  të drejtave pronësore në Kosovë, që rrjedhimisht ka reflektuar në nivelin jo të kënaqshëm të realizimit të të drejtave të njeriut, përfshirë kufizimin e të drejtave të grave si pasojë e botëkuptimeve shoqërore që pengojnë realizimin e të drejtave të tyre në trashëgimi dhe kjo po ashtu përbënë faktor të rëndësishëm në rritjen e qëndrueshme  ekonomike”, tha ajo.

Ministrja Hoxha më tej vlerësoi se bashkëpunimi në mes të akterëve relevant është tejet i nevojshëm me qëllim që të gjitha veprimet e kësaj strategjie të jetësohen në mënyrë sa më efektive.

Ajo shtoi se Ministria e Drejtësisë mbetet plotësisht e angazhuar dhe e përkushtuar për të krijuar një ambient ku të gjithë qytetarët e saj do të trajtohen të barabartë para ligjit, sepse kjo është më e pakta që duhet të bëjmë për qytetarët e këtij vendi.

IMG_2289 IMG_2190

Kuçi

 

 

Të ngjashme