Vetëm 20 ish-pjesëtarë të UÇK-së janë në listën e Interpolit

Prishtinë | 06 Jan 2017 | 18:41 | Nga

Zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Nehat Mustafa, ka thënë që vetëm 20 ish-pjesëtarë të UÇK-së janë në listën e INTERPOL-it.

Disa prej emrave, sipas tij, janë larguar si rezultat i reagimeve të vazhdueshme të Policisë së Kosovës dhe se një listë e cila ka qarkulluar në media me 157 emra nuk qëndron.

“Nga kjo listë e publikuar, vetëm 20 ish-pjesëtarë të UÇK-së kërkohen nga Interpoli”, ka thënë Mustafa.

“Policia e Kosovës (Drejtoria për Bashkëpunim Ndërkombëtar në Fushën e Zbatimit të Ligjit ILECU) ka verifikuar të gjithë 157 emrat të cilët janë pjesë e kësaj liste dhe e cila po prezantohet nëpër media si listë e Interpolit. E vërteta është se vetëm 20 nga këta 157 emra janë në listën e Interpolit. Policia e Kosovës, më 16.12.2016 përmes zyrës së Interpol-UNMIK ka dërguar ankesë për futjen e këtyre 20 personave në listën e kërkimit nga Interpoli dhe ka kërkuar largimin e tyre”.

“Dhjetëra emra janë larguar nga kjo listë si rezultat i reagimit të vazhdueshëm të Policisë së Kosovës. Përndryshe, lista prej 157 ish pjesëtarëve të UÇK e cila po prezantohet nëpër media si listë e Interpolit, në të vërtetë është listë e publikuar në “Libri i Bardhë” i nxjerr nga Qeveria e Serbisë në vitin 2003”, shkruan Mustafa.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme