Vetëm në nëntë muajt e fundit janë regjistruar 247 raste të kancerit të gjirit

Prishtinë | 25 Tet 2018 | 13:24 | Nga Besiana Dauti Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Deputetët e Kuvendit të Kosovës, Fatmire Kollçaku nga Lëvizja Vetëvendosje dhe Haxhi Avdyli nga Lidhja Demokratike e Kosovës kanë mbajtur tryezë mbi fuqizimin e kapaciteteve në mbështetje të pacientëve të prekur nga kanceri me moton “Ne do të luftojmë krah jush”.

Deputetja dhe anëtarja e komisionit për shëndetësi, Fatmire Kollçaku tha se për luftimin e kësaj sëmundje duhet ndihmë e të gjithëve. Ajo tha se rëndësia për vetëdijesimin dhe trajtimin e kësaj sëmundje tregohet më së miri në bazë të shifrave ku vetëm në nëntë muajt e fundit janë shënuar 247 raste të reja më kancer, raporton EkonomiaOnline.

“Ne kemi rol të rëndësishëm në shoqëri dhe një shoqëri demokratike nuk mund të jetë e tillë nëse nuk garanton jetën e gjithë neve, ne sot do ta përçojmë një rekomandim të rëndësishëm që do jemi në përkrahje të ngritjes së kapacitetit që kanë të bëjnë me sëmundjen që ne sot trajtojmë”, tha Kollçaku.

“Pasi jemi në muajin e vetëdijesimit të sëmundjes së kancerit të gjirit, vetëm në nëntë muajt e fundit janë regjistruar 247 raste të tilla”, tha ajo.

“Ne si deputet kemi obligim edhe si anëtarë të komisionit të shëndetësisë që të trajtojmë përkrahjen e njerëzve të prekur. Në çdo aspekt kur një person diagnostifikohet, problemi fillon dhe është multidimensional dhe prek gjithë familjen, e sidomos në aspektin material”, tha ajo.

Kollçaku tha se si qeveri duhet të ndihmojnë në rritjen e buxhetit sa i përket kësaj sëmundjeje për klinikat dhe pacientët të cilët vuajnë nga kjo sëmundje.

Ajo shtoi se pushimi me pagesë për personat e prekur nga sëmundja e kancerit është një iniciativë që do të filloj nga Kuvendi dhe se shpreson që do të gjejë përkrahje nga të tjerët.

“Individët që punojnë përveç ndihmës duhet t’i ofrojmë edhe përkrahjen tjetër që t’i sigurojmë që gjatë trajtimit duhet të ketë pushimin me pagesë gjatë trajtimit me kimioterapi”, tha Kollçaku.

Deputeti, Haxhi Avdyli tha se kanceri është shkaktuari i dytë i vdekjeve në botë. Ai përmendi problematikat me të cilat përballen pacientët dhe vetë klinikat kosovare ndaj kësaj sëmundje.

“Kjo sëmundje është shkaktari i dytë i vdekjeve dhe duhet të ketë fokusin e gjithë neve si politika, media, shoqëria civile dhe profesionistët mjekësor”, tha Avdyli.

“Sot duhet të përkrahim hallkat e luftës kundër kancerit duke filluar nga politikat e parandalimit në eliminimin e faktorit të rritjes”, tha Avdyli.

Avdyli tha se sistemi shëndetësor në Kosovë është i dobët dhe nevojitet shumë punë për të bërë. Ai tha se ne kemi sistem shëndetësor pa sistem të informimit shëndetësor dhe pa sigurime shëndetësore që sipas tij janë mjaft të rëndësishme.

“Financimi i ulët i shëndetësisë pa sigurime mjekësore, kjo ndikon në trajtim të pacientëve dhe përgatitje profesionale të profesionistëve shëndetësor”, tha Avdyli.

Avdyli po ashtu shtoi se spitalet kanë kapacitet të mangët të hapësirave dhe mungesë të madhe të barnave të cilat për trajtimin e kësaj sëmundje kushtojnë mjaft shumë.

Drejtori i Klinikës së Onkokogjisë, Ekrem Hyseni tha se numri i rasteve të sëmundjeve të kancerit çdo ditë e më shumë është në rritje. Ai tha se klinikat të cilat u ofrojnë ndihmë pacientëve të sëmurë nga kanceri kanë nevoja shumë të mëdha, të cilat do të u ndihmonin në trajtimin e tyre, raporton EO.

“Në klinikën e kimioterapisë brenda ditës janë 100 deri 200 pacientë, ku brenda ditës nuk ka asnjëherë më pak se 100 pacient”, tha Hyseni.

Hyseni tha se radioterapia për momentin ka dy aparatura dhe brenda ditës i shërbejnë 80 deri në 100 pacientëve.

Sipas tij sëmundja e kancerit vazhdon të jetë në rritje nga viti 2013.

“Viti 2017 ka regjistruar 1539 raste të reja dhe ky është shtim relativisht i shpejtë brenda vitit që ka kaluar dy fishin e rasteve që nga viti 2013”, tha Hyseni.

Hyseni para të pranishmëve përmendi kërkesat në emër të klinikës, të cilat sipas tij do të ndihmonin trajtimin e sëmundjes.

Disa nga kërkesat që përmendi ishin: Reparti i veçantë i kimioterapisë, shtimi i aparaturave në kimioterapi ku për momentin janë vetëm dy aparatura dhe janë të mbingarkuara, aparatura për përgatitjen e citostatikëve, mundësia për pushim mjekësor dhe vazhdimi i pagës përgjatë trajtimit të pacientit në kimioterapi dhe përpilimi i listës esenciale.

“Kemi nevojë që trajtimin me kimioterapi të ndahet nga të tjerat trajtime dhe të dizajnohet pikërisht për këtë sëmundje”, tha Hyseni.

“Lista esenciale është domosdoshmëri, disa barna të cilat nuk janë në listë dhe kostoja e tyre është shumë e madhe ku pacientët nuk munden shpesh herë ta përballojnë”, tha Hyseni.

Nafije Latifi nga Qendra Kosovare për Luftimin e Kancerit të Gjirit “Jeta/Vita” po ashtu e mbijetuar nga sëmundja e kancerit të gjirit, lavdëroi punën e Klinikës Onkologjike për kancerin e gjirit edhe pse vet nuk ishte trajtuar në këtë klinikë, por tha se puna e stafit mjekësor në këtë repart është për të lavdëruar.

Latifi përmendi sfidat me të cilat përballen gratë të cilat janë të prekura nga kjo sëmundje dhe tha se mbështetja e tyre është e domosdoshme.

Ajo tha se aparati mamografik mungon në shumë qendra mjekësore ku sipas saj mungesa e kësaj aparature e pamundëson që pacienti paraprakisht të kuptoj për sëmundjen e tij/saj.

Po ashtu ajo shtoi se në klinika ku pacientët trajtohen nga sëmundja e kancerit të gjirit kanë mungesa të pajisjeve, të cilat i mbrojnë nga rrezatimi dhe si rezultat i kësaj shumë gra pas luftimit të sëmundjes apo gjatë trajtimit të saj kanë rënie të flokëve.

Latifi tha se pacientët duhet të ndihmohen me paruke pasi që vetëm për një ditë ku janë ofruar 120 paruke për këtë ka pasur interesim të 300 grave të sëmura me kancer të gjirit.

Të ngjashme