Veteranët e Drenicës protestojnë të hënën, e ftojnë edhe Kadri Veselin

Prishtinë | 01 Sht 2018 | 15:19 | Nga Valbona Bytyqi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Veteranë të Zonës Operative të Drenicës kanë paralajmëruar protestë, për të hënën, me kërkesë largimin e veteranëve të rremë nga lista e përfituesve të pensioneve dhe shkarkimin e kryeprokurorit Aleksandër Lumezi.

Organizatorët, ish-pjesëtarë të UÇK-së të Brigadës 113 “Mujë Krasniqi’, e cila ka vepruar në kuadër të Zonës Operative të Drenicës, e kanë ftuar edhe kryetarin e Kuvendin, Kadri Veseli, që t’iu bashkohet.

Faik Zogaj, nga Mleqani i Malishevës, një nga organizatorët e protestës, në një prononcim për Ekonomia Online, tha se protesta mund të eksalojë “pasi veteranët nuk mund të durojnë më”.

“Situata mundet me eskalu ditën e hënë; e lajmërova edhe stacionin e Policisë… Veteranët nuk munden më të durojnë më. Janë me 170 euro me 7-10 anëtarë të familjes, kanë një pagë minimale ndërsa një veteran fals të barazohet me neve është e papranueshme”.

“Situata mundet të eskalojë, sepse veteranët kanë pritur qe 20 vite për një ligj të mirëfilltë për një ligj të duhur. Dhe sot t`i bashkohet çdo manipulues në listën e veteranëve, kjo është e patolerueshme dhe e papranueshme për neve”, tha Zogaj.

Zogaj ka ftuar edhe kryetarin e Kuvendit që të marrë pjesë në protestën, krahas pastrimit të listave, do të kërkohet edhe shkarkimi i kryeprokurorit Aleksandër Lumezi, për shkak të kërcënimeve që kishte marrë ish-prokurori Blakaj, gjatë hetimeve të këtij rasti.

Një kërkesë tjetër, do të jetë lirimi i ish-komandantit të UÇK-së, Sylejman Selimi, i cili sipas Zogajt e di sa është numri i veteranëve të vërtetë.

“Ftojmë kryetarin e Kuvendit, zotërinë Veseli që në protestë të jetë i pranishëm edhe ky sikur çdo protestues tjetër. Kërkesat tona janë shkarkimi i Lumezit, lirimi i Sylejman Selimit dhe pastrimi i listave… Sylejman Selimi ka thënë edhee përmes burgut që listat e veteranëve janë diku 12 mijë e 600 veteranë”.

“Ne kërkojmë nga Kuvendi i Kosovës, i cili është legjitim për neve, që të marrë masa të menjëhershme, shkarkimin e Lumezit dhe të ftoj prokurorinë që le të punojnë dhe le të bëhen pastrimi i listave të menjëhershme”.

Protestës nuk do t’i bashkëngjitet Organizata e Veteranëve të Luftës (OVL).

Ndërkohë, protestë për shkarkimin e kryeprokurorit Lumezi pritet të mbahet edhe të mërkurën nga shoqëria civile.

Të ngjashme