Veteranët e Kosovës kujtojnë veteranët amerikanë

Prishtinë | 11 Nën 2016 | 13:07 | Nga

Kryesia e Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, me rastin e 11 Nëntorit, Ditës së Përkujtimit – Ditës së Veteranëve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ka uruar të gjithë veteranët e luftës dhe mbarë popullin amerikan.

Në komunikatë thuhet se kryetari i Organizatës së Veteranëve të UÇK-së, Kryesia dhe të gjithë veteranët dhe invalidët e UÇK-së, e vlerësojnë lartë dhe përulen para veprës gjigante dhe të paharruar për jetë e mot, të të gjithë atyre amerikanëve që dhanë jetën gjatë shërbimit ushtarak në shërbim të mbrojtjes dhe lirisë.

“Në emër të Kryesisë së Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe të gjithë veteranëve të luftës, kam kënaqësinë e veçantë që bashkë me Juve, popullin mik amerikan dhe popujt tjerë liridashës, miq të popullit amerikan dhe popullit tonë, me rastin e festës kombëtare – Ditës Përkujtimore – Ditës së Veteranëve, të nderojmë kontributin e madh të pjesëtarëve të mëparshëm dhe aktualë të Forcave të Armatosura të Shteteve të Bashkuara të Amerikës”.

“Me anë të kësaj letre shprehim edhe një herë falënderimet tona të përhershme të veteranëve dhe invalidëve të UÇK-së dhe të mbarë popullit shqiptar për të gjithë ata ushtarë e oficerë që bashkë me Departamentin e Shtetit dhe mbarë popullin mik amerikan, e mbështetën popullin tonë dhe Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës në kohërat dhe momentet më të vështira, kur po i rrezikohej ekzistenca. Dita Kombëtare e Veteranëve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës është një ditë e madhe, është dita e lirisë, është dita e veteranëve dhe e të rënëve për liri. Në Ditën e Veteranëve përkujtohet e nderohet shërbimi i të gjithë veteranëve dhe dëshmorëve të Ushtrisë Amerikane, të gjithë atyre që veshën uniformat e ushtrisë dhe shërbyen nën flamurin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, thuhet në komunikatë.

“Kryesia e OVL të UÇK-së, veteranët dhe mbarë populli shqiptar solidarizohen kurdoherë me SHBA-të, jemi me SHBA-të në festa, në gëzime e hidhërime, si pjesë e miqësisë dhe aleancës së përbashkët. Kujtim e nderim të përhershëm për të gjithë dëshmorët dhe veteranët e luftës”, thuhet në njoftim.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme