Veteranët e UÇK-së tani duan rreth 400 mijë euro për të shkuar në det e banjë

Prishtinë | 28 Maj 2018 | 10:42 | Nga

Veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nuk janë të kënaqur vetëm me pensionet nga shteti. Ata i kanë bërë edhe një kërkesë kryeministrit Ramush Haradinaj.

Po i kërkojnë rreth 400 mijë euro nga buxheti për të shkuar në det e rehabilitim në banjë.

Infokusi ka siguruar një kërkesë të Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, në të cilën kërkohen këto para në emër të rehabilitimit të veteranëve të cilët nuk kanë kushte të mira sociale.

Këtë e ka konfirmuar për Infokusin edhe kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucati.

“Për det kemi planifikuar 300.000 euro, ndërsa për banjë rreth 60.000 euro”, ka thënë ai.

Me këto para, ai ka thënë se planifikojnë që rreth 300 veteranë të moshës 60-65 me probleme shëndetësore t’i dërgojnë në banjë, të cilën do ta caktojë Ministria e Punës dhe Mirëqenës Sociale.

“Ne kemi bërë një kërkesë në zyrën e kryeministrit të Kosovës për rehabilitimin e veteranëve, i dërgojmë banjë, një pjesë të veteranëve. Numri i veteranëve që planifikojmë t’i dërgojmë në banjë është rreth 300”, ka thënë Gucati.

Ndërkaq, numri më i madh i bashkëluftëtarëve të tij do të dërgohen në det.

“E 1,500 veteranë të tjerë janë për det, kryesisht janë veteranë që nuk kanë kushte të tjera materiale dhe jetojnë me nga 170 euro”, ka thënë ai.

Sipas Gucatit, përzgjedhja e veteranëve që do të përfitojnë këto “pushime” do të fillojë tek pas miratimit nga Qeveria e Kosovës.

Kreu i OVL të UÇK-së më i gëzuar do të ishte njëra nga kërkesat që ia kanë drejtuar Qeverisë.

“Unë personalisht do të doja që fillimisht të realizohej kjo për banjë, ndërsa kjo për deti varet nga buxheti i Qeverisë. Nëse ata kanë buxhet realizohet në të kundërtën nuk duam as ne ta dëmtojmë buxhetin e shtetit”, ka thënë ai.

Vitin e kaluar, sipas tij, veteranët nuk kanë shkuar në deti dhe banjë për shkak se kërkesa në Qeverinë e Kosovës është bërë në vonese.

Por në 2016-ën Qeveria e Kosovës ka ndarë 30 mijë euro për dërgimin e veteranëve nëpër qendra mjekësore rehabilituese.

Ministri i atëhershëm i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Arban Abrashi, pati thënë se shuma e planifikuar nga Qeveria do të ndahet për tri kategoritë e te dalëve nga lufta.

“Duke marrë parasysh nevojat e kategorive te dala nga lufta, janë ndarë 30 mijë euro, në 3 pjesë për 3 kategori, për t’u rehabilituar në banja”, pati thënë Abrashi.

Ndërkaq, Qeveria e Kosovës në krye me Ramush Haradinajn, të martën (29.05.2018) do të mbajë mbledhjen e saj të 49, në të cilën do të do të shqyrtohen 13 pika të rendit të ditës në mesin e të cilave edhe kërkesa për rehabilitimin e 1,500 veteraneve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Të ngjashme