Veteranët i kërkojnë Qeverisë bonus nga 100 euro, paralajmërojnë edhe protesta

Prishtinë | 09 Pri 2020 | 18:27 | Nga Ekonomia Online

Qeveria e Kosovës, me 30 mars ka miratuar një vendim me anë të së cilit, kategori të ndryshme, biznese, do të përkrahen financiarisht përmes pakos emergjente, në kohën kur vendi dhe e mbarë bota po përballen me pandeminë globale Covid-19. Ndërsa shuma e përgjithshme e kësaj pakoje emergjente arrin në 170.6 milionë euro. Në mesin e atyre që kanë kërkuar të bëhen pjesë e kësaj pakoje, janë edhe organizatat e dala nga lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së, në krye me Hysni Gucatin i kanë kërkuar Qeverisë që veteranët e luftës të kenë një bonus prej 100 eurove, si dhe disa kërkesa të tjera. Mos përfshirja e tyre dhe neglizhenca që po i bën shteti aktualisht, sipas Gucatit do t’i bëjë që të dalin në protesta.

Gucati në një prononcim për IndeksOnline, ka treguar se veteranët e UÇK-së edhe aktualisht me paratë që marrin nga shtetit prej 170 eurove, e kanë të pamundur t’i kryejnë obligimet dhe shpenzimet e tyre, e lërë me tani.

Gucati me shqetësim ka marrë lajmin që OVL e UÇK-së nuk do të përfshihet në këtë pako emergjente, dhe sipas tij me këtë veprim ekzekutivi i vendit nuk ua njeh meritat atyre që dhanë çdo gjë për ditët që sot gëzojmë.

”Kam fol me Gazmend Sylën, më ka treguar se nuk janë të përfshira këto kategori. Kjo qeveri nuk i njeh këta njerëz që kanë dhënë kontribut, që kanë dhënë gjymtyrët për të këtë vend, kjo ka qenë kërkesa jonë për tu dal në ndihëm dhe ne kemi kërkuar që të paktën për 2 muaj tu shtyhen kredit e tyre se e dimë që shumë prej tyre janë me kredi. Po ashtu kemi kërkuar që për tu bëhet pagesë për dy muaj”, tha Gucati.

Të ngjashme