“Vettingu, zgjidhja e vetme për ta pastruar gjyqësorin nga politika”

Prishtinë | 26 Gus 2018 | 08:26 | Nga Besjana Bajrami Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Pas dorëheqjes së prokurorit special Elez Blakaj, i cili ka ngritur aktakuzë për anëtarët e komisionit qeveritarë, që dyshohet se kanë futur kundërligjshëm në listat e veteranëve më shumë se 19 mijë persona, u ngritën spekulime e akuza nga krerët institucionalë, duke e quajtur atë frikacak e të pazotë për të kryer detyrën e tij.

Ndërkohë, organizatat joqeveritare organizuan protestë për shkarkimin e kryeprokurorit Aleksandër Lumezi dhe nisjen e një procesi të vettingut.

Analistë dhe njohës të çështjes së drejtësisë, theksojnë nevojën për vetting në sistemin gjyqësor, mirëpo i shohin me dyshim institucionet, të cilat mund të përzgjidhen për kryerjen e këtij procesi.

Isuf Zejna nga Demokracia Plus, në një prononcim për Ekonomia Online, shprehet skeptik për institucionet, të cilat mund të udhëheqin procesin e vettingut, derisa e quan të ngutshëm dhe bën thirrje që të rishikohen mundësi tjera të reformimit në sistemin gjyqësor.

“Pyetja ime e vazhdueshme është se kush e bënë vettingun. A e bën Kuvendi, a e bën Këshilli Gjyqësor, Këshilli Prokurorial, Qeveria, a e bënë një Komision i Pavarur, i cili zgjidhet prej dikujt, kush e bën këtë vetting? A e bënë AKI? Pra, dikush duhet ta bëjë. Ne kemi problem me krejt këto institucione, të cilat i përmenda dhe cilado që potencialisht do ta bëjë procesin e vetingut, ka mundësi që i riciklon njerëzit që aktualisht po i shërbejnë partive politike. Nëse i besojmë një institucioni ndërkombëtar kredibil, atëherë kjo do të ishte e vetmja formë e një procesi pak më të besueshëm”.

“Sa i përket procesit të vetingut, mendoj se është një kërkesë paksa e ngutshme, për shkak se me bazën aktuale ligjore, kushtetuese ne nuk kemi vend edhe për një proces të vettingut, mirëpo edhe sikur të ndodhte edhe njëherë ky proces, ekziston rreziku që t’i legjitimojmë njerëzit, të cilët po i konsiderojmë si persona të cilët e kanë kap shtetin. Më shumë e udhës do të ishte të shikohet çështja e llogaridhënies tek institucionet e prokurorisë dhe gjyqësorit, pra të ndërtohet një gjyqësor dhe një sistem prokurorial i llogaridhënies”, tha ai.

Ndërkaq, Betim Musliu nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) vettingun e sheh zgjidhje të vetme për të pastruar sistemin gjyqësor nga politika.

“Nuk ka zgjidhje tjetër dhe vetëm vetingu mund ta pastrojë sistemin e drejtësisë nga bartës të funksioneve gjyqësore dhe prokuroriale, të cilët janë të lidhura ngushtë me politikën. Pra, vettingu do t’i pastronte këta individ dhe do të vendoste individ të caktuar që kanë integritet në pozita kyçe për ta bërë më pas udhëheqjen e sistemit të drejtësisë e jo të mbeteshin figurat sikurse janë ato që janë produkt i aferës “pronto””, vlerëson Musliu.

Musliu i quajti të paarsyeshme deklaratat e krerëve institucionalë, sidomos të kryeministrit Haradinaj për mos mbajtjen e procesit të vettingut.

“Kryeministri Haradinaj komplet është në panik dhe thjesht ka dalë prej binarëve, nuk ka arsyeshmëri në të gjitha ato veprime dhe vendime, të cilat po i merr dhe po i shfaq në publik, sepse po e shohim që ka devijuar komplet edhe nga vetë programi i qeverisë së Kosovës, në të cilën ai vetë ka parashikuar që të ketë një proces të vetingut”, thotë Musliu për Ekonomia Online.

Të ngjashme