Vihet gurthemeli për ndërtimin e stadiumit në Studençan të Suharekës, MKRS investon 500 mijë €

Prishtinë | 30 Kor 2020 | 14:38 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kuvendi Komunal i Suharekës ka ndarë 7 hektarë tokë për stadiumin ndihmës në fshatin Studençan, ndërsa ndërtimi i tij do të bëhet me 500 mijë euro të ndara nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, raporton Ekonomia Online.

Kryetari i Komunës së Suharekës, Bali Muharremaj, falënderoi zëvendëskryeministrin Driton Selmanaj dhe ministren e MKRS-së, Vlora Dumoshi, të cilët kishin ardhur në ceremoninë e fillimit të punimeve.

“Për ndërtimin e këtij stadiumi, investimin prej 500 mijë euro e ka marrë përsipër Ministria e Kulturës Rinisë dhe Sportit”, tha Muharremaj.

Ministrja Dumoshi tha se është jashtëzakonisht e lumtur kur i sheh të rinjtë duke pritur fillimin e ndërtimit të këtij stadiumi.

Ajo përmendi se në vitet 1990-të, pikërisht në këtë fshat kanë luajtur në atë kohë lojtarët e Kosovës.

“Është jashtëzakonisht mirë kur e i sheh të lumtur qytetarët të cilët kanë ardhur për të na pritur që po fillojmë ndërtimin e këtij stadiumi. Ministria e Kulturës është duke e financuar së bashku me kryetarin Bali Muharremaj. Ky fshat ka pasur histori”, shtoi Dumoshi

Ministrja Dumoshi tha se sot është një ditë dhe një natë e madhe pasi gurthemeli i këtij stadiumi po vihet një ditë para festës së Kurban Bajramit.

E zëvendëskryeministri Driton Selmanaj  tregoi për përshtypjen dhe dashurinë që kanë pasur banorët e kësaj ane për futbollin.

“Unë kam pasur fatin që kam ardhur dy herë për të luajtur në stadiumin që e kemi afër shkollës. Megjithatë më ka lënë përshtypje dashnia që kanë pasur këta banorë për futbollin. Duhet të kujtojnë një njeri shumë të madh që ka dhënë shumë për këtë vend – punëtorin e palodhshëm Skënder Berisha”, shtoi Selmanaj.

Ai uroi edhe festën e Bajramit, duke shpresuar që të vijnë në festën e madhe kur edhe do të përurojnë stadiumi në këtë fshat.

Të ngjashme