Vikend i rëndë në Kosovë: 7 persona vdesin në rrethana tragjike

Prishtinë | 10 Maj 2021 | 08:12 | Nga Ekonomia Online

Gjatë këtij vikendi në Kosovë disa persona kanë vdekur në rrethana tragjike. Tre familjarë nga Gjilani kanë vdekur derisa po pushonin në Gjirin e Lalëzit. Dyshimet e para janë se ata janë helmuar me kërpudha. Dy tetë vjeçarë kanë vdekur në Shtime pasi u shkelën nga vetura që po ecte me shpejtësi të madhe. Një 33 vjeçare ka vdekur në Fushë Kosovë, derisa dyshohet se e njëjta është mbytur me jastëk nga motra e saj. Në rrugën Mitrovicë-Prishtinë ndërkaq ka vdekur një 66-vjeçar në një aksident trafiku. Gazeta Express sjell detajet.

Shtatë persona është bërë e ditur se kanë vdekur në rrethana tragjike vetëm ditët e fundit në Kosovë.

Të shtunën është bërë e ditur se tre anëtarë të familjes Haliti nga Gjilani humbën jetën në Shqipëri.

Nëna djali dhe nusja, dyshohet se kanë vdekur pas konsumimit të kërpudhave, derisa, ngjarja ka ndodhur në Gjirin e Lalzit në qytetin e Durrësit.

Pas rastit tragjik, familjarët kanë dalë në një konferencë për media ku edhe kanë akuzuar mjekët të cilët sipas tyre kanë neglizhuar gjendjen e familjarëve të tyre.

Ata po dyshojnë që familjarët e tyre mund të mos kenë vdekur për shkak të konsumimit të kërpudhave.

Djali i viktimave në një konferencë për media ka treguar se ka biseduar me babain e tij në telefon dhe e ka vërejtur në të folur se ai nuk ka qenë në gjendje të mirë shëndetësore.

Ai ka treguar se edhe qeni që ka qenë bashkë me familjarët e tij ka ngordhur, ndonëse nuk ka konsumuar kërpudha.

“Familja ka shkuar në shtëpi të vetë. Ajo është shtëpia jonë, babi është me dokumenta edhe shtetas i Shqipërisë. Ata janë infektuar prej disa ushqimeve që i kanë ngrënë. Diçka që është shqetësuese për neve dhe e papërballueshme është neglizhenca e mjekëve. Tre pacientë me shku me të njejtin simptomë dhe me u kthy në shtëpi me barna, nuk është adekuate. Pra pa analiza pa kurfar përkushtimi me e liru pacientin në atë gjendje është diçka jo e duhur për çdo mjek. Ndërsa është e dyshimtë se edhe qeni ka ngordhur, ndërsa ai nuk ka konsumuar kërpurdha, ai i ka ngrënë ushqimet e veta ndërsa është e dyshimtë se si ka ndodhur kjo”, ka treguar djali i viktimave.

Familjarë të tyre kanë thënë se pacienti ka pritur në Tiranë 3 orë për analiza dhe se nuk ka pasur papërgjegjësi në trajtimin e tyre.

Kryetari i Gjilanit, Lufti Haziri në telegram ngushëllimi për familjen Haliti ka kërkuar nga organet përkatëse të Policisë së Republikës së Shqipërisë të ndriçohet rasti.

“Me trishtim e mora lajmin për ndarjen nga jeta në mënyrë tragjike të tre anëtarëve të familjes suaj, në Shqipëri, Elfete, Afrim e Ferzinaze Haliti. Kjo tragjedi na ka tronditur të gjithëve dhe apeli im është që të ndriçohet rasti sa më parë nga autoritetet e Republikës së Shqipërisë”, thuhet në telegramin ngushëllues të Hazirit.

Një rast tragjik ka ndodhur edhe në Fushë Kosovë. Një 33-vjeçare ka vdekur derisa, për këtë rast është arrestuar motra e saj.

Dyshimet e para, janë se motra e ka mbytur motrën duke ia nxënë frymën me jastëk.

Të njëjtat burime të Gazetës theksuan se dy motrat dhe anëtarët e tjerë të kësaj familjeje dyshohet se kanë probleme mendore.

Për këtë rast kanë dhënë detaje edhe nga Prokuroria Themelore në Prishtinë.

“Sipas dyshimeve fillestare nga kjo ngjarje dyshohet se viktima është privuar nga jeta nga motra e saj, e cila me urdhër të prokurores kujdestare është dërguar në mbajtje dhe ndaj të njëjtës do të ndërmerren masat e nevojshme brenda afateve ligjore. Ndërsa, trupi i pa jetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë”, njofton prokuroria.

“Prokurori i Shtetit, në koordinim me policinë janë duke i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore në drejtim të veprës penale “Vrasja e rëndë”, nga neni 173 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, thuhet tutje në njoftimin e tyre.

Një rast tragjik ka ndodhur dje në fshatin Carralevë të Shtimës.

Dy fëmijë të moshës 8 vjeçare kanë vdekur si pasojë e lëndimeve trupore të marra, pasi u goditën nga një veturë.

Aksidenti ka ndodhur në fshatin Carralevë të Shtimes, derisa të ndjerët kanë ndërruar jetë në QKUK, pasi u dërguan atje për trajtim mjekësor.

Lajmin e ka bërë të ditur Policia e Kosovës nëpërmjet një komunikate të publikuar në ‘Facebook’, derisa ka njoftuar se drejtuesi i veturës është ndaluar për 48 orë.

“Si pasojë e këtij aksidenti të komunikacionit, fillimisht lëndime të rënda trupore marrin dy këmbësorët,  të cilët pasi marrin ndihmën e parë mjekësore në QKMF-Shtime, dërgohen në QKUK-Prishtinë për tretman të mëtutjeshëm mjekësor . Më pas, të dy këmbësorët nuk kanë mundur ti mbijetojnë lëndimeve të rënda trupore dhe kanë ndërruar jetë në QKUK-Prishtinë”, thuhet në njoftim.

Rreth orës 18:00, policia ka bërë të ditur ndërkaq se një 66-vjecar ka vdekur në një aksident trafiku në rrugën Mitrovicë-Prishtinë.

Të ngjashme